
Falë TikTok-ut kemi marrë vesh shumë gjëra: tendenca, thashetheme, tradhti, ndarje, ribashkime, por edhe teori. Një prej teorive më virale quhet “3 months mark” ose “3 month rule” dhe lidhet pikërisht me 3-mujorin e parë të lidhjes, në të cilin sipas përdoruesve të rrjetit social, është fiks periudha kur çiftet e kuptojnë nëse lidhja e tyre është e duhura.
Sipas @vaatsalya.c, 3 muajt e parë të lidhjes shërbejnë si një test për lidhjen, pasi në këtë periudhë ndodhin ndarjet, tradhtitë, krijohet besimi dhe sfidohet raporti.
@vaatsalya.c episode 4 | #fup #fyp #foryou #couple #coupleadvice #advice #boyfriend #bf #girlfriend #gf #relationship #relationshipadvice #love #loveadvice #stages #stage ? Repeat Until Death - Novo Amor
Sipas Sameera Sullivan, specialiste në marrëdhëniet në çift: “Pas 3 muajsh, ti dhe partneri do ta njihni më mirë njëri-tjetrin. Si rrjedhojë, do të ulësh muret që ke vendosur më parë, do të shprehësh emocionet dhe do të flasësh haptazi për problemet në çift”.
Në të njëjtën periudhë, ti ose partneri/ja, do të ndieni sikur nuk ka më shkëndija mes jush, ndërsa në realitet thjesht marrëdhënia po kalon në një tjetër fazë, në të cilën ju do të vendosni nëse do të përkushtoheni në lidhje, apo do t’i jepni fund asaj.
Sigurisht, të gjithë duan që të kenë një marrëdhënie afatgjatë dhe të shëndetshme, që zgjat shumë më tepër se 3 muaj, ndaj si mund të përpiqesh që ta tejkalosh këtë “afat kohor”?
Ekspertja e lidhjeve romantike, Samantha Daniels është shprehur për Bustle se në 3 muaj raport, ti nuk ke më turp t’i dërgosh disa mesazhe rresht personit tjetër, ta prezantosh me miqtë, apo edhe të shprehësh inat dhe xhelozi (me masë, domosdo). “Ti ndien sikur nuk ke kufij në marrëdhënien tënde”, shpjegon Daniels dhe 3 muajt e parë të lidhjes përkojnë me periudhën kur të dy personat janë të çiltër, të sinqertë dhe vetvetja.
Nëse kur marrëdhënia mbërrin në këtë afat kohor dhe ti ende ndihesh sikur ka një hendek mes jush, ndoshta lidhja nuk do ta kalojë fazën e 3 muajve.
Ti dhe personi tjetër duhet të ndiheni rehat kur flisni për të ardhmen, të bëni plane, gjithashtu të flisni hapur për ndjesitë dhe situatat e përjetuara. Në të njëjtën kohë, është mëse normale të përfshiheni në jetën e njëri-tjetrit dhe të kaloni kohë cilësore bashkë. Ajo që ti mund të bësh për ta tejkaluar “rregullin e 3 muajve” është të bësh plane me personin tjetër, udhëtime, aventura të këndshme dhe të flasësh hapur për gjërat që të gëzojnë dhe shqetësojnë. Një bisedë e sinqertë sjell një reagim të sinqertë dhe është mirë që ta ndërmarrësh hapin brenda kësaj periudhe.
Ç’të bësh saktësisht për ta tejkaluar këtë fazë?
Të flasësh në mënyrë të sinqertë, por jo urdhëruese
Askush s’i pëlqen urdhërat, ndaj edhe nëse je vërtet e nxehur me një situatë të caktuar, fol në mënyrë të sinqertë, trego problemin, zgjidhjen efikase që mendon se e tejkalon sfidën, por bëj kujdes me tonin e zërit.
Mos e prezanto menjëherë personin tjetër me të gjithë
Mund ta shmangësh prezantimin me gjithë familjen. Është një hap i nxituar, i cili me shumë gjasa do e trembë dhe stepë personin tjetër. Prezantoje fillimisht me miqtë e afërt, me ndonjë të afërm që e ke si shok/shoqe dhe këtë bëje në mënyrë natyrale.
Mos luaj rolin e personit perfekt
Herët ose vonë të gjithë njerëzit dalin në identitet, ndaj më e mira që mund të bësh është të mos veshësh maskën e një personi perfekt, cool, që bën gjëra për hir të personit tjetër. Ji autentik/e dhe ki parasysh që personi tjetër të pëlqen për atë që je.
Mëso nga gabimet e së shkuarës
Bëj një rezyme të marrëdhënieve dhe ndarjeve të mëparshme. Ç’ke mësuar prej tyre? Pse je ndarë? Ku çaluat? E më e rëndësishmja: Mos i përsërit të njëjtat gabime në lidhjen e re.
Mos i injoro flamujt e kuq
Ti mund të jesh tipi i personit që e romantizon dashurinë dhe partnerin/en, por kjo s’i zeron flamujt e kuq, përkundrazi, i neglizhon ato. Është shumë e rëndësishme që ti të jesh vigjilent/e ndaj tyre, veçanërisht në një periudhë që personaliteti i personit tjetër shpaloset para syve të tu.
Mos posto shumë në rrjetet sociale
Kujdes me postimet që bën. Ti mund të mendosh se ke gjetur shpirtin binjak, por në njëfarë mënyre, po i lejon botës të ketë akses në lidhjen tënde, e cila ende nuk është e qëndrueshme.
Mos neglizho vendosjen e kufijve
3 muajt e parë përcaktojnë mënyrën se si marrëdhënia jote do të jetë në vijim, ndaj është koha perfekte për të vendosur kufijtë dhe barrierat e duhura. Ulu me personin tjetër, bëni një bisedë rreth kufijve, gjërave që toleroni dhe që nuk toleroni, në mënyrë që ta dini si të silleni me njëri-tjetrin në situatat e mëvonshme.
Artikuj të sugjeruar:
- 6 gjëra të vogla që mund t’ju përmirësojnë marrëdhënien
- Gjuha e trupit të Duas dhe partnerit të saj tregon shumë për marrëdhënien e tyre, sipas ekspertes
- Nëse ai/ajo bën këto 6 gjëra, ka humbur interesin për marrëdhënien tuaj
- Këto 7 pyetje do ta forcojnë më tepër marrëdhënien tënde
- Një listë me gjëra që mund të bëni për të përforcuar marrëdhënien