Le ta pranojmë: të gjithë kalojmë kohë në Instagram dhe rrjete sociale për motive të ndryshme. Shkëmbejmë mesazhe me njerëzit që njohim, marrim informacione nga media shqiptare apo të huaja, argëtohemi në foto e video të ndryshme dhe pa e kuptuar ky proces i përditshëm na merr minuta apo orë të tëra.
Ky zakon i përditshëm mund të jetë i dëmshëm për shëndetin mendor, madje disa studime e kanë lidhur përdorimin e mediave sociale me rritjen e depresionit, mendimet negative për trupin përpara perfeksionit që shfaqet në Instagram dhe platforma të tjera, zakone të këqija të gjumit, ankth i shtuar etj.
Ekzistojnë gjashtë mënyra të thjeshta si të shpëtoni nga presioni i Instagramit dhe të përmirësoni kësisoj shëndetin tuaj mendor.
-Kufizoni qëndrimin në Instagram deri në 30 minuta në ditë
Nëse nuk e dini saktësisht se sa kohë kaloni çdo 24 orë, ka një aplikacion për këtë. Pavarësisht nëse telefoni juaj është iPhone ose Android, të dy kanë një opsion që regjistron sa minuta (ose sa orë) shpenzoni në ditë dhe quhet “activity”. Instagrami e ka gjithashtu kohëmatësin e vet të integruar.
-Bëni unfollow
Një nga rreziqet e Instagramit është se njerëzit nuk janë plotësisht të sinqertë për mënyrën se si i manipulojnë fotot apo videot e tyre. Dikush nga ana tjetër e telefonit mund të duket shumë afër perfeksionit sa i përket linjave trupore, por ju nuk keni një mënyrë për ta vërtetuar nëse ka përdorur filtra, Photoshop ose aplikacione të tjera që ndryshojnë fotot/ videot për t’u dukur yll. Nëse ndiheni të pamjaftueshëm pasi largoheni nga profili i dikujt, zgjidhni “unfollow” dhe do të ndiheni më mirë.
-Çaktivizoni njoftimet
Është e vështirë të kufizosh ndërveprimet e tua në Instagram nëse dëgjon vazhdimisht një "tingull" që të kujton se dikush ju ka dërguar një mesazh, ka pëlqyer postimin tuaj ose ka komentuar. Ndaj, që të ndiheni më në paqe me veten, çaktivizoni njoftimet.
-Kontrolloni komentet, shikimet dhe pëlqimet
Komentet në Instagram nuk janë gjithmonë mënyra më e shëndetshme për të shprehur opinione, por ju e keni në dorë që t’i kontrolloni. Shkoni te “cilësimet”(settings), "privatësia"(privacy), "komentet"(comments), më pas zgjidhni mënyrën që doni të aktivizoni ose çaktivizoni komentet.
-Krijoni lidhje me botën reale
Instagrami është një platformë dixhitale, por ai nuk mund të zëvendësojë përvojën e kontaktit ballë për ballë, të folurit në telefon me njerëzit që njihni apo takimet me ata që ju rrethojnë në jetën tuaj.
-Bëni ca kohë pushim nga Instagrami
Nëse të gjitha këto ndryshime zakonesh nuk po sjellin ndryshime në shëndetin mendor, ndoshta është koha që të largoheni, të paktën për pak kohë. Ju mund të habiteni se sa çliruese është të mos kesh Instagram. Ekspertë thonë se kur bëjmë pushim nga diçka nga e cila jemi të varur, ne mund ta shohim shumë më qartë situatën.
Burimi: Real Simple