Showbiz dhe TV

Albano i kërkoi falje Beatrix, por sërish, ia doli ta bëjë situatën më keq

Shkruar nga Anabel

6 Tetor 2023

Albano i kërkoi falje Beatrix, por sërish, ia doli ta bëjë

Albano Bogdo, në një video live në TikTok, i ka kërkuar ndjesë Beatrix Ramosajt, pas deklaratës dhe shakasë së tepruar që ka bërë, megjithatë, mënyra se si e ka kërkuar ndjesën lë sërish për të dëshiruar.
 
Aktori i humorit ishte duke komunikuar me disa persona të tjerë, live në TikTok, ku u shpreh:
 
M’u çuan gjithë moralistët e Shqipërisë, që në të vërtetë nuk kanë pikë morali në shpirt se unë i njoh shumë mirë. U çuan dhe më kryqëzuan a thua se kam bërë bërë 20 vrasje, kam vjedhur 20 banka, kam masakruar kombin, për një fjali që thashë, për një fjali që nuk kam gënjyer (?), megjithatë, i kërkoj falje me shpirt (Beatrixës), për mesazhet që mund t’i kenë shkuar, kaq”, tha ai, duke i mëshuar faktit që i kërkon ndjesë vetëm për shqetësimin, por jo për shakanë seksiste dhe mizogjene që ka bërë.
 
Më tej vijon se shqetësimi vjen nga këta “plehra” që më parë e kanë ofenduar para 2 viteve. “Ata e shanin, ata e mbrojtën dhe më shanë mua. Të njëjtat hiena që rrotullohen rreth së njëjtës kërmë, të njëjtës histori. Mjafton të hapësh gojën, të thuash diçka dhe atyre u jep bukë për të ngrënë”.
 
Albano shtoi: “E di si e kam regjistruar tek emisioni? (referuar puntatës së ardhshme të “Albano Show”) Ju kërkoj shumë ndjesë të dashur moralista që e thashë këtë fjali në të njëjtën javë që doli videoja false e Luana Vjollcës. Ta dija, do e kisha thënë një javë më vonë, që të hanit një javë bukë me Luanën, një javë bukë me mua”, a thua se e gjithë jeta dhe karriera jonë varet nga ato që thotë Albano në emisonin e tij.
 
Aktori nuk u ndal me kaq, por i cilësoi si “budallenj” njerëzit që i kanë shkruar dhe kanë reaguar mbi deklaratën e dhënë. Ai tha se nuk ka pasur për qëllim të ofendojë njeri dhe madje u betua për familjen. Në një tjetër moment, theksoi faktin se jo, s’po kërkon falje për “batutën”.
 
Ku qëndron problemi i ndjesës së Albanos?
 
Në fakt, janë disa probleme. I pari, te fakti që Albano ende as nuk e kupton gabimin që ka bërë. Deklarata e tij mbetet pa kripë, pa asnjë rafinim dhe mençuri që ka humori në vetvete. Ai ende s’e ka të qartë që ajo që ai quan “batutë” në fakt, është denigrim, pasi ofendon një artist përmes motrës së tij. Pra, kërkesa e faljes publike, duhet të vijë nga deklarata e tij e pavend, aspak nga shqetësimi që mund të ketë pasur Beatrix nga “hienat që rrotullohen rreth së njëjtës kërmë”.
 
Problemi i dytë është pikërisht etiketimi i “hienave” dhe “budallenjve”. Nuk duam aspak të bëjmë një artikull ku themi se jo, njerëzit që reagojnë dhe mbrojnë vajzat, gratë dhe burrat nga linçime të tilla publike nuk janë “hiena”, por njerëz që e shohin mizogjininë dhe të gjithë seksizmin që gjen vend te “shakaja” e Albanos. Përkundrazi, janë persona publikë ose të thjeshtë që tregojnë se i mbrojnë njerëzit që krejt pa të drejtë përmenden nga Albano dhe të tjerë si Albano.
 
Problemi i tretë qëndron pikërisht me sulmin e Albanos ndaj mediave dhe njerëzve “që hanë bukë” përmes deklaratave të tij. Duam t’i rikujtojmë Albanos se detyra e medias është të informojë publikun me lajme dhe ngjarje reale, por edhe të flasë për raste të tilla, kur një person dehumanizohet dhe hedh baltë ndaj dy artistëve, pa asnjë të drejtë, duke u fshehur pas “lirisë së fjalës”. Duke i kthyer reston Albanos, edhe media ka “lirinë e fjalës”, e gëzon atë dhe në rastin në fjalë e ka përdorur siç duhet, pa kryqëzuar dhe denigruar askënd.
 
Një tjetër ngërç në deklaratën e tij është “e vërteta”. Albano pretendon se tha të vërtetën në deklaratën e tij fyese, por ku është e vërteta? Beatrix dhe Donald, për aq sa kanë shfaqur kamerat e “BBVA 1”, nuk kanë kryer marrëdhënie seksuale, ndaj e vërteta e tij, në fakt është një deduktim që nuk qëndron.
 
Gjithashtu, duam t’i themi aktorit të humorit, që nuk ka asnjë problem të ulë hundën dhe të kërkojë ndjesë për një deklaratë të tillë, përkundrazi, e bën më njerëzor.

- Ky artikull është një qëndrim personal, shkruar nga A. Shehu, redaktore kontribuese në Anabel Media.

Artikuj të sugjeruar: