Çmimi Nobel për Paqen i është dhënë aktivistes iraniane, Narges Mohammadi “për luftën e saj kundër shtypjes së grave në Iran dhe luftës për të promovuar të drejtat dhe liritë e njeriut”, njoftoi Komiteti Norvegjez in Nobelit në Oslo.
BREAKING NEWS
— The Nobel Prize (@NobelPrize) October 6, 2023
The Norwegian Nobel Committee has decided to award the 2023 #NobelPeacePrize to Narges Mohammadi for her fight against the oppression of women in Iran and her fight to promote human rights and freedom for all.#NobelPrize pic.twitter.com/2fyzoYkHyf
Mohammadi, 51 vjeç, është arrestuar 13 herë dhe pas dënimit të fundit, është ndaluar të shohë familjen e saj. Emri i Nargas është kthyer në sinonimin e betejës për të drejtat njerëzore në Iran, veçanërisht pas protestave masive për rrahjen brutale që i shkaktoi vdekjen Mahsa Amini. E ndjera ishte një vajzë 22-vjeçare, e cila u keqtrajtua nga “policia e moralit” sepse nuk kishte vënë si duhet shaminë.
Komiteti i çmimit Nobel u shpreh se i njeh përpjekjet e qindra mijëra njerëzve në Iran, të cilët po luftojnë kundër regjimit tiran, diskriminimit dhe shtypjes së grave.
Qeveria iraniane dënoi vlerësimin e Mohammadi me çmimin Nobel për Paqen dhe e cilësoi si “të njëanshëm dhe të motivuar politikisht”.
“Veprimi i Komitetit të Çmimit Nobel për Paqen është një manovër politike në përputhje me politikat ndërhyrëse dhe anti-iraniane të disa qeverive europiane, përfshirë shtetin pritës të komitetit Nobel”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Nasser Kanani në një deklaratë e publikuar në Twitter (X).
Mohammadi fitoi çmimin Nobel për Paqen mes 351 kandidatëve, duke u bërë gruaja e 19-të që fiton këtë çmim prestigjoz.
Narges Mohammadi ka lindur më 21 prill 1972 në Zanjan, Iran dhe ka studiuar për fizikë në universitetin “Imam Khomeini” në vitin 1990. Ajo ka punuar si inxhiniere dhe ka shkruar në gazatat reformiste iraniane.
Mohammadi u arrestua për herë të parë në vitin vitin 1998, për kritikat e saj ndaj qeverisë iraniane dhe kaloi një vit në burg. Ajo u lirua për një kohë të shkurtër me lirim me kusht dhe u gjobit me 50,000 dollarë. Disa ditë më vonë u arrestua sërish dhe u mbajt në burgun “Evin”. Shëndeti i saj u përkeqësua ndërsa ishte në paraburgim dhe shfaqi shenjat e një sëmundjeje të ngjashme me epilepsinë, e cila e detyroi të humbte në mënyrë periodike kontrollin e muskujve. Pas një muaji, ajo u lirua dhe u lejua të kërkonte trajtim mjekësor.
Në vitin 2003, u bashku me Qendrën e Mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut, një organizatë e themeluar nga laureatja e çmimit Nobel për Paqen, Shirin Ebadi. Mohammadi u arrestua prapë në vitin 2011, për pjesëmarrjen në këtë qendër. Pas 2 viteve, ajo u lirua dhe nisi një fushatë kundër dënimit me vdekje. ajo u arrestua sërish në vitin 2015, për aktivizmin e saj kundër dënimeve të tilla, megjithatë vijoi punën edhe brenda qelisë, duke advokuar për të drejtat e të burgosurve politikë.
Është e paqartë nëse Mohammadi është në dijeni se ka fituar një çmim Nobel për Paqen. Miq dhe të afërm u shprehën për CNN se ajo po vuan dënimin në burgun famëkeq “Evin” dhe nuk lejohet të kontaktojë me njeri.
Përpara se të arrestohej dhe dënohej, Mohammadi ka thënë: “Qëndroj krah nënave guximtare të Iranit (dhe do të vazhdoj) të luftoj pa pushim kundër dallimit, tiranisë dhe shtypjes me bazë gjinore të kësaj qeverie, derisa gratë të çlirohen”.
Bashkëshorti i saj, Taghi Rahmani, tha se çmimi është “për të gjithë njerëzit e Iranit”. Ai gjithashtu është aktivist dhe ish-i burgosur politik, i cili vuajti dënimin 14-vjeçar të regjimit tiran. Ai jeton në Francë, së bashku me fëmijët.
“Ky çmim nuk është thjesht për Narges; është për gjithë njerëzit e Iranit. Në një moment ku gratë dhe burrat iranianë dolën në rrugë, qëndruan për muaj me radhë dhe luftuan për të treguar se ende nuk gëzojnë demokracinë dhe barazinë civile”, u shpreh ai, duke shtuar: “Edhe pse vitet e mungesës së saj janë të pashlyeshme për ne, është një nder që (kontributi i) Narges njihet”.
Ai vijoi:
“U bënë më shumë se 8 vite që kur ajo ka parë për herë të fundit fëmijët dhe s’ia kemi dëgjuar zërin për më shumë se një vit. E gjitha kjo do të thotë se ajo ka duruar mjaft në rrugëtimin e saj për të realizuar synimet. Ndaj, ne e dimë se çmimi Nobel për Paqen do ta nxisë të arrijë qëllimet e saj. Kjo është një ditë e bekuar”.
Mohammad është një zë i fuqishëm për të drejtat e grave dhe barazinë e të gjithë njerëzve dhe zëri i saj jehon edhe në qelitë e errëta të burgut “Evin”.
Në një regjistrim audio që ka rrjedhur nga brenda burgut, Mohammadi ende thërret sloganin e protestave në Iran: “Grua, jetë, liri”, i cili u frymëzua nga vdekja e Amini-t. Regjistrimi ndërpritet nga një mesazh automatik, i cili thotë: “Kjo është telefonatë e kryer nga burgu “Evin”, ndërsa gratë në sfond këndojnë “Bella Ciao”.
Ajo vijon të shlyejë dënimin, e paepur dhe njësoj guximtare, duke shërbyer si zëri i qëndresës dhe simboli i një proteste të pathyeshme kundër një sistemi që shtyp popullin e vet.
Artikuj të sugjeruar: