Pushteti

Lufta Izrael-Hamas: çfarë ka ndodhur dhe çfarë e ka shkaktuar konfliktin?

Shkruar nga Anabel

9 Tetor 2023

Lufta Izrael-Hamas: çfarë ka ndodhur dhe çfarë e ka

Çfarë ndodhi në kufirin mes Izraelit dhe Gazës të shtunën?

Hamasi dhe Xhihadi Islamik hodhën mijëra raketa nga Gaza dhe militantët e armatosur thyen barrierat e teknologjisë së lartë që rrethonin vendin për të hyrë në Izrael, duke qëlluar dhe marrë pengje. Militantët në varka u përpoqën gjithashtu të hynin në Izrael nga deti.

Ishte një sulm tronditës dhe i paprecedentë dhe një dështim katastrofik i inteligjencës së Izraelit – të dyja do të kenë pasoja afatgjata. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi se Izraeli ishte në luftë dhe se palestinezët do të paguanin një çmim të rëndë.

Militantët depërtuan në komunitetet hebraike pranë kufirit me Gazën, duke vrarë dhe kapur civilë dhe ushtarë. Videot e paverifikuara shfaqën izraelitë të tmerruar të mbuluar në gjak dhe me duar të lidhura pas shpine, duke u kapur nga persona të armatosur palestinezë.

Si u përgjigj Izraeli?

Izraeli thirri rezervistët e ushtrisë dhe nisi një valë sulmesh ajrore. Kryeministri i Izraelit paralajmëroi palestinezët në Gaza që të "largohen prej andej tani" ndërsa u zotua të shndërrojë vend-strehimet e Hamasit në "rrënoja". Izraeli ka ndërprerë furnizimin me energji elektrike dhe karburant në Gaza, gjë që së shpejti mund të prekë ndërtesat mjekësore, të cilat janë të tejmbushura me njerëz të lënduar nga bombardimet.

Sa njerëz janë vrarë dhe plagosur? Dhe sa izraelitë janë marrë peng?

Të paktën 700 izraelitë u vranë dhe rreth 2,000 njerëz po trajtoheshin në spitale – 19 prej tyre në gjendje kritike – sipas raporteve të së dielës. Mendohet se 400 militantë palestinezë janë vrarë në jug të Izraelit dhe në Rripin e Gazës dhe dhjetëra të tjerë janë kapur.

Ministria e shëndetësisë në Palestinë tha se të paktën 400 palestinezë janë vrarë, duke përfshirë 20 fëmijë, dhe rreth 2,000 njerëz janë plagosur si rezultat i sulmeve ajrore izraelite në Gaza që nga e shtuna.

Hamasi thuhet se ka marrë peng rreth 100 izraelitë – ushtarë dhe civilë, të gjallë dhe të vdekur.

Pse sulmuan Hamasi dhe Xhihadi Islamik?

Arsyet e sakta të sulmit nuk janë të qarta, por prej muajsh ka pasur rritje të dhunës mes ushtarëve dhe kolonëve izraelitë dhe palestinezëve në Bregun Perëndimor. Kolonët e armatosur kanë sulmuar fshatrat palestineze; militantët në Bregun Perëndimor kanë sulmuar ushtarët dhe ka pasur bastisje të përsëritura nga Forcat e Mbrojtjes së Izraelit në qytetet palestineze.

Gjatë javës së kaluar, disa hebrenj janë falur brenda kompleksit të xhamisë al-Aksa në qytetin e vjetër të Jeruzalemit. Zona përreth xhamisë njihet për muslimanët si Haram al-Sharif dhe është vendi i tretë më i shenjtë për Islamin pas Mekës dhe Medinës në Arabinë Saudite. Për hebrenjtë, ai njihet si Mali i Tempullit dhe nderohet si vendi i tempullit biblik hebre. Hebrenjtë nuk lejohen të falen brenda kompleksit al-Aksa; ta bësh këtë është shumë provokuese.

Nacionalistët fetarë ekstremistë, të cilët janë pjesë e qeverisë së Izraelit, kanë bërë thirrje vazhdimisht për aneksimin e territorit palestinez. Ka pasur gjithashtu spekulime se sulmi mund të jetë inkurajuar nga Irani si një mjet për të penguar lëvizjet e Arabisë Saudite për të normalizuar marrëdhëniet me Izraelin.

Pse sulmi e befasoi Izraelin?

Hamasi duhet ta ketë planifikuar këtë sulm prej shumë muajsh dhe është mister pse inteligjenca izraelite nuk ishte në dijeni. Dështimi i inteligjencës do të lëkundë besimin e publikut izraelit në aftësinë e qeverisë dhe ushtrisë së tyre për të mbrojtur civilët.

Çfarë shpreson të fitojë Hamasi?

Organizata militante që ka sunduar Rripin e Gazës që nga viti 2007 i ka treguar botës se është një forcë për t'u llogaritur, por është e vështirë të shihet se si mund të ketë një rezultat pozitiv për Hamasin ose Gazën nga ngjarjet e fundjavës.

Izraeli ka të ngjarë të përdorë fuqinë e plotë ushtarake për të shtypur aktivitetin militant, jo vetëm në Gaza, por edhe në Bregun Perëndimor dhe Jeruzalemin Lindor. Në këtë proces, do të vriten një numër i madh i civilëve palestinezë dhe do të shkatërrohen shtëpitë dhe infrastruktura.

Marrja e pengjeve do të komplikojë përgjigjen e Izraelit dhe do t'i japë Hamasit një mjet të rëndësishëm negocimi. Gilad Shalit, një ushtar izraelit i mbajtur në Gaza nga Hamasi për pesë vjet, u lirua në vitin 2011 në këmbim të më shumë se 1,000 të burgosurve palestinezë.

Nëse Irani është i përfshirë, ai do të shpresojë se dhuna do të prishë çdo marrëveshje midis Izraelit dhe Arabisë Saudite.

A ka Hamasi mbështetjen e njerëzve të zakonshëm në Gaza?

Gaza drejtohet nga grupi islamik Hamas, i cili u formua në 1987 si një grup "rezistencë" militante kundër Izraelit dhe fitoi pushtetin politik. Hamas është një organizatë politike islamike palestineze dhe një grup militant që ka zhvilluar luftë me Izraelin që nga themelimi i grupit në vitin 1987, më së shumti përmes bombardimeve dhe sulmeve me raketa. Ai kërkon të zëvendësojë Izraelin me një shtet palestinez. Hamas qeveris gjithashtu Gazën në mënyrë të pavarur nga Autoriteti Palestinez.

Shumë njerëz në Gaza thjesht duan të vazhdojnë me jetën e tyre, të lirë nga bllokada dhe luftërat dhe konfliktet e përsëritura. Ata janë të indinjuar me kufizimet e vendosura ndaj tyre dhe frikën e futur tek ata nga sundimtarët e Hamasit. Megjithatë, të tjerët kanë marrë armët nga mungesa e shpresës dhe mjerimi që është karakteristikë për jetën në Gaza. Ata e shohin veprimin militant si të vetmen mënyrë për një të ardhme më të mirë.

Mbështetja për Hamasin nuk është testuar që nga zgjedhjet e fundit në Gaza në 2006.

Cili ka qenë reagimi ndërkombëtar ndaj sulmit të Hamasit?

Sulmi i Hamasit është dënuar në politikën ndërkombëtare dhe ka pasur mbështetje për të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten. Joe Biden i tha kryeministrit të Izraelit se SHBA "qëndron me popullin e Izraelit përballë këtyre sulmeve terroriste. Mbështetja e administratës sime për sigurinë e Izraelit është e fortë dhe e palëkundur".

Forcat paqeruajtëse të OKB-së janë vendosur përgjatë kufirit Liban-Izrael për të "ruajtur stabilitetin dhe për të ndihmuar në shmangien e përshkallëzimit".

Qeveria egjiptiane tha se ishte në bisedime me Arabinë Saudite dhe Jordaninë në përpjekje për të gjetur një mënyrë për të zbutur krizën. Egjipti ka qenë shumë i përfshirë në ndërmjetësimin e armëpushimeve në të kaluarën.

Izrael - Palestinë: Disa të dhëna për një nga konfliktet më të diskutueshëm në histori

Izraeli është shteti i vetëm hebre në botë, i vendosur në lindje të Detit Mesdhe. Palestinezët, popullata arabe që vjen nga toka që Izraeli kontrollon tani, i referohen territorit si Palestinë dhe duan të krijojnë një shtet me këtë emër në të gjithë ose në një pjesë të së njëjtës tokë. Konflikti izraelito-palestinez lidhet me faktin se kush e merr territorin dhe sesi kontrollohet ai.

Megjithëse pretendimet e hebrenjve dhe muslimanëve arabë në lidhje me territorin datojnë rreth dy mijë vjet, konflikti aktual politik filloi në fillim të shekullit të XX.

Hebrenjtë që ikën nga persekutimi në Europë, dëshironin të krijonin një atdhe në atë territor atëherë me shumicë arabe dhe muslimane në Perandorinë Osmane dhe më vonë Britanike. Arabët rezistuan, duke e konsideruar tokën si të tyren. Një plan i hershëm i Kombeve të Bashkuara për t'i dhënë secilit grup pjesë të tokës dështoi dhe Izraeli dhe kombet arabe përreth bënë disa luftëra mbi territorin. Ndarjet e sotme pasqyrojnë kryesisht rezultatet e dy prej këtyre luftërave, njëra e zhvilluar në vitin 1948 dhe një tjetër në 1967.

Lufta e vitit 1967 është veçanërisht e rëndësishme për konfliktet sot, pasi e vendosi Izraelin në kontroll të Bregut Perëndimor dhe Gazës, dy territore në të cilat banojnë popullata të mëdha palestineze. Alternativa për një zgjidhje mes dy shteteve është një "zgjidhje me një shtet", ku e gjithë toka bëhet ose një Izrael i madh ose një Palestinë e madhe. Shumica e njerëzve mendojnë se kjo do të shkaktonte më shumë probleme sesa do të zgjidhte, por ky rezultat po bëhet më i mundshëm me kalimin e kohës për arsye politike.

Si u bë Izraeli shtet

Zhvillimet shoqërore dhe politike në Europë i bindën hebrenjtë se kishin nevojë për vendin e tyre dhe atdheu paraardhës u duk si vendi i duhur për ta themeluar atë. Midis viteve 1896 dhe 1948, qindra mijëra hebrenj u zhvendosën nga Europa në atë që asokohe ishte e kontrolluar nga Britania, Palestina, duke përfshirë një numër të madh të dëbuar nga Europa gjatë Holokaustit.

Shumë arabë e panë fluksin e hebrenjve si një lëvizje koloniale europiane dhe popujt luftuan ashpër. Britanikët nuk mund të kontrollonin dhunën dhe në vitin 1947, Kombet e Bashkuara votuan për ndarjen e tokës në dy shtete. Banorët hebrenj e pranuan marrëveshjen. Palestinezët, të cilët e panë planin si një zgjatim të një përpjekjeje për t’i larguar nga vendi, e luftuan atë. Shtetet arabe, Egjipti, Jordania, Iraku dhe Siria, më vonë i shpallën luftë Izraelit gjithashtu.

Forcat izraelite mundën forcat palestineze dhe ushtritë arabe në një konflikt të egër që shndërroi 700,000 civilë palestinezë në refugjatë. Ndarja e Kombeve të Bashkuara premtoi 56% të Palestinës Britanike për shtetin hebre; deri në fund të luftës, Izraeli zotëronte 77% - gjithçka përveç Bregut Perëndimor dhe lagjes lindore të Jeruzalemit (i kontrolluar nga Jordania), si dhe Rripit të Gazës (i kontrolluar nga Egjipti). Në vitin 1967, Izraeli bëri luftë me Egjiptin, Sirinë dhe Jordaninë. Izraeli goditi në fillim, por pretendon se po paraprinte një sulm të afërt egjiptian. Në gjashtë ditë, Izraeli shkatërroi fuqitë arabe, duke marrë Bregun Perëndimor dhe Jeruzalemin Lindor nga Jordania.

Lufta i la izraelitët me një shtet, por jo palestinezët.

Bota dhe Izrael/Palestinë

Vendet jomuslimane përgjithësisht e njohin legjitimitetin e Izraelit dhe mbajnë marrëdhënie diplomatike me të, por ka kritika për trajtimin e Izraelit ndaj palestinezëve dhe pushtimit të vazhdueshëm të Bregut Perëndimor.

Opinioni publik global është përgjithësisht më përkrahës ndaj çështjes palestineze. Nëpër sondazhe, Izraeli është një nga vendet më pak të pëlqyera në botë.

Burimet: Guardian, History.com, Vox, Encyclopaedia Britannica