Nisur nga një artikull i publikuar më parë në Anabel, ku pyetëm ndjekësit për fjalitë që i kanë lënduar më shumë, kemi disa këshilla, sugjeruar nga psikologia dhe mjekja Stefani Reinold, e cila tregon hap pas hapi se ç’duhet të bësh kur përballesh me fjalë të rënda dhe lënduese, të thëna nga një person i afërt:
Ndalo dhe identifiko ndjesinë
Hapi i parë është shumë i rëndësishëm. Nëse dikush të thotë diçka vërtet lënduese, identifiko ndjesinë. Ç’po ndjen realisht? Inat, trishtim, ndihesh sikur po të flet në mënyrë të padrejtë? Lejoje veten që t’i ndiejë emocionet dhe ç’është më e rëndësishmja, mos i shtyp ato.
Mos ndoshta ndjesitë vijnë nga traumat e tua?
Pasi të identifikosh ndjesinë, kupto burimin e saj. Mos po vjen si rezultat i traumave të së shkuarës?
Rikujtoji vetes që fjalët e tyre nuk kanë gjithnjë lidhje me ty
Ka shumë gjasa që problemi të jetë te personi tjetër. Nëse dikush thotë një fjalë lënduese, ose nuk kontrollon dot inatin, ose reagon më shumë seç duhet mbi një veprim apo shprehi tënden. Nëse dikush ndihet i acaruar, jo domosdoshmërisht e ka me ty. Bëj një hap pas dhe vendosu në vendin e personit tjetër, për të parë dhe kuptuar situatën nga një tjetër këndvështrim.
Është diçka që ti s’e kontrollon dot
Ti s’e kontrollon dot mendimin dhe fjalët e të tjerëve, ama mund të kontrollosh reagimin tënd. Në shumë sfera dhe faktorë të jetës, do të kuptosh se shumë ngjarje nuk mund të kontrollohen, ndaj ajo që mund të bësh, është të njohësh veten dhe të mos ndikohesh nga fjalët, sado të rënda qofshin ato.
Fol dhe mbro veten
Është e rëndësishme që të reagosh, të flasësh, të përgjigjesh për veten, sepse përndryshe, personi tjetër mund ta marrë të mirëqenë se duhet të t’i thotë ato fjalë.
Merr kurajon dhe përgjigju, duke mbrojtur veten me argumente, pasi është një mënyrë për vendosjen e kufijve.
Artikuj të sugjeruar: