Një superstar si Taylor Swift di si të thyejë rekorde, jo vetëm duke shitur me shpejtësinë e dritës biletat për koncertet e saj, por tani ka vendosur rekorde të reja edhe në ekranin e madh të kinemasë. Filmi në formën e një dokumentari për turneun e saj “Eras Tour” është pritur me një interes të jashtëzakonshëm edhe në Shqipëri.
Duke nisur nga sot (13 tetor) filmi "Taylor Swift: The Eras Tour" do të shfaqet në Cineplexx. Anabel kontaktoi me Cineplexx dhe përfaqësues të kinemasë u shprehën se biletat e shfaqjes së parë që u hodhën online – ato të datës 13 tetor, ora 18.00 – u shitën për thuajse 1 orë.
“Mund t’ju themi që kemi pasur shumë koncerte në kinema, si për shembull Metallica, Pink Floyd, Muse etj., por atmosferën e ‘Eras Tour’ e ka krijuar vetëm BTS dhe One Direction. Edhe sot kemi hapur dy shfaqje të reja në orën 18:15 për shkak të kërkesave."
View this post on Instagram
Nëse tregoheni të shkathët, mund të gjeni ende bileta për shfaqjet e të shtunës dhe të dielës.
Që nga 5 tetori 2023, “Taylor Swift: The Eras Tour” ai ka fituar mbi 100 milionë dollarë në para-shitje globale, duke u bërë filmi koncert me fitimet më të larta i të gjitha kohërave dhe pritet që ta tejkalojë këtë shifër. Filmi ka marrë komente pozitive nga kritikët, shumica e të cilëve vlerësuan punën e kamerës, montazhin dhe energjinë e shfaqjes.