Mund ta themi unanimisht dhe me krenari: Shqipëria, në këto momente, ka skuadrën më të mirë të futbollit që ka pasur ndonjëherë. Përpos talentit të jashtëzakonshëm të futbollistëve, edhe trajneri brazilian, Sylvio Mendes Campos Junior (i njohur si Sylvinho) meriton pa diskutim të gjitha meritat, falenderimet dhe duartrokitjet tona si tifozë.
Gjatë punës së tij në ekip, Sylvinho ka treguar disa cilësi fantastike, që ne mendojmë se dalin përtej fushës së futbollit dhe stadiumit dhe aplikohen edhe në marrëdhëniet e punës. Duke parë me kërshëri dhe entuziazëm ndeshjet e Kombëtares sonë dhe rezultatet pozitve, kemi nxjerrë këto leskione nga trajneri Sylvinho:
Leksioni #1: Besoji skuadrës
Sylvinho i ka besuar me mish e shpirt skuadrës, çunave dhe talenteve të tyre. Trajneri, jo vetëm që u ka besuar lojën dhe ndeshjet me skuadra të përgatitura, si ajo e Polonisë, por edhe i ka frymëzuar për të bërë një punë fantastike. Mendojmë se çdo shef, epror, apo menaxher në Shqipëri, duhet të ketë të njëjtën qasje.
Kur ti i beson dikujt në punë e kudo, personi tjetër krijon më shumë respekt dhe ka një ndjenjë përgjegjësie për ta përfunduar punën me rezultate të kënaqshme.
View this post on Instagram
Leksioni #2: Zbulo talente të rinj
E dimë që Armando Broja dhe Marash Kumbulla janë lojtarë shumë të mirë, por po sikur të shohim edhe talente të tjerë? Këtë bëri Sylvinho: Kërkoi talente të rinj, i zbuloi dhe i bëri pjesë të formacionit. Ndër vendimet më të zgjuara, kanë qenë pikërisht Jasir Asani dhe Mario Mitaj.
E njëjta gjë duhet të aplikohet edhe në ambientet e punës. Një kompani mbahet gjallë dhe arrin suksesin kur zbulon talente të rinj, ndaj të dashur shefa, jepuni zë të rinjve, dëgjojini me vëmendje ata dhe mos i nënvlerësoni për shkak të viteve dhe “mungesës së eksperiencës”. Idetë brilante, shpesh vijnë edhe nga mendjet kreative, të cilat s’kanë +10 vite përvojë.
View this post on Instagram
Leksioni #3: Guxo!
Më parë, fatkeqësisht, Asani nuk shihej pothuajse fare në fushë, por pas vendimit të Sylvinho-s, futbollisti shpalosi talentin e tij fantastik, duke na dhuruar gola të jashtëzakonshëm. Madje, trajneri e grumbulloi menjëherë në ekip, pasi vuri re se po, Asani i shërbente në fushë. Sot, Jasir Asani, pasi e konfirmoi pozicionin e tij në fushë, është një element kyç për lojën.
Pra, guxo dhe ndërmerr hapa të rinj, të paparë ndonjëherë. Pavarësisht rrezikut të humbjes, ka shumë gjasa që të sjellësh diçka totalisht të re dhe të vendosësh standarde të reja.
View this post on Instagram
Leksioni #4: Puno bashkë me ekipin
Gazetari sportiv, Ylli Aga, është shprehur: “Puna që po bën Sylvinho, është se po sillet si një trajner klubi, në kuptimin e mirë. Është maksimalisht i përkushtuar te puna e tij. Çdo ditë në zyrë, punë me stafin, video e analiza pa fund”.
Nga ana tjetër, Sylvinho është shprehur se ishte vendim i mirë që të jetonte në Shqipëri, pasi përndryshe nuk do të kishte zbuluar talentin e Asanit.
Prej tij, marrim një tjetër mësim: Të punosh pranë ekipit tënd, në çdo punë, është një përvojë e vlefshme, pasi kështu, arrin të mësosh më shumë mbi potencialin e anëtarëve të skuadrës dhe stafit tënd, të kuptosh marrëdhëniet e tyre, atmosferën e zyrës dhe gjithçka që nuk mund ta bësh përmes telefonit apo email-it. Në çdo rast, bashkimi bën fuqinë.
View this post on Instagram
Leksioni #5: Jepi Çezarit atë që i takon!
Sylvinho nuk mban me hatër, pavarësisht emrit dhe famës që mund të ketë një futbollist! Ai i ngre teknikisht futbollistët, sheh potencialin e tyre, sheh më të mirën dhe përmes analizave, i përdor si duhet pikat e tyre të forta. Sylvinho, nga ana tjetër, po i jep një shans të jashtëzakonshëm futbollistëve të rinj, të provojnë veten, të shkëlqejnë dhe të promovohen. Pse? Sepse ata e meritojnë!
E njëjta gjë duhet të bëhet edhe në ambientet e punës! Nëse dikush meriton të ngrihet në detyrë, kontribuon në të mirën e kompanisë dhe shkëlqejnë, është detyra jote që t’u japësh atë që u takon.