Bota

Sulmi në spitalin në Gaza shkakton zemërim në mbarë botën

Shkruar nga Anabel

18 Tetor 2023

Sulmi në spitalin në Gaza shkakton zemërim në mbarë

Qindra njerëz raportohet të jenë vrarë pas një sulmi në spitalin arab Al-Ahli në Gaza, të mbushur me të plagosur si edhe me mijëra njerëz që strehoheshin atje për t'u mbrojtur nga sulmet.

Ministria e Shëndetësisë e Gazës, e cila drejtohet nga Hamasi, tha se të paktën 500 njerëz u vranë të martën mbrëma në atë që pretendoi se ishte një sulm ajror izraelit. Ushtria izraelite thuhet se tha se sipas një hetimi fillestar, shpërthimi ishte shkaktuar nga dështimi i një rakete të Hamasit, përpara se të thoshte se ishte rezultat i një breshërie raketash të Xhihadit Islamik (organizatë paraushtarake islamike palestineze).

Xhihadi Islamik i përshkroi akuzat izraelite si "të rreme dhe të pabaza" dhe pretendoi se nuk përdor objekte publike si spitalet për qëllime ushtarake.

Disa vende arabe, duke përfshirë Arabinë Saudite, Jordaninë, Egjiptin, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Irakun publikuan deklarata duke dënuar Izraelin dhe duke akuzuar ushtrinë e tij për bombardimin e spitalit. Ndërkohë, mijëra protestues u mblodhën në Liban, Irak, Jordani, Kuvajt, Egjipt dhe Tunizi.  

Në Stamboll, forcat turke të sigurisë përdorën ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit që arritën të futen me forcë në një kompleks ku ndodhet konsullata izraelite. Reagime të tjera të ashpra ka pasur në mbarë botën.

Udhëheqësit perëndimorë nuk e kanë fajësuar Izraelin për sulmin. Presidenti francez Emmanuel Macron tha në një postim në rrjete sociale se "asgjë nuk mund të justifikojë një sulm kundër një spitali" duke shtuar se "Franca dënon sulmin në spitalin arab Al-Ahli në Gaza, i cili shkaktoi kaq shumë viktima palestineze".

Ndonëse Forcat e Mbrojtjes të Izraelit kanë thënë se nuk sulmojnë spitalet, OKB-ja dhe Mjekët pa Kufij thonë se sulmet ajrore izraelite kanë goditur objektet mjekësore, duke përfshirë spitalet dhe ambulancat.

Spitalet, sipas parimeve të së drejtës ndërkombëtare humanitare, janë vende të shenjta dhe sulmet ndaj tyre konsiderohen krime lufte.