Themeluesja e markës së njohur të kozmetikës Huda Beauty po përballet me thirrje për bojkot, por edhe vlerësime, pasi deklaroi në rrjetet sociale se nuk dëshiron “para gjaku” nga klientët izraelitë.
Një ditë pas sulmit të Hamasit kundër Izraelit më 7 tetor, Huda Kattan festoi 40-vjetorin në Dubai dhe postoi një foto në Instagram e rrethuar me tullumbace dhe trëndafila.
"Nuk e di nëse e keni vënë re, por izraelitët nga e gjithë bota ju duan ju dhe produktet tuaja," i komentoi dikush sipas një screenshot të siguar nga The Express Tribune. “Ti zgjodhe Gazën. Pra, mbaje mend këtë që asnjë izraelit nuk ble më nga ti, kudo në botë. Dhe është turp sepse blejmë shumë. Gaza nuk ka para për të investuar te produktet e tua sepse për mendimin tim, ata pëlqejnë të investojnë te armët.”
Si përgjigje, Kattan shkroi: “Nuk dua para gjaku.”
Në një postim tjetër, Huda ka shprehur hapur mbështetjen e saj për Palestinën duke shkruar se "Izraeli, i cili ka ushtrinë e katërt më të madhe në botë, NUK është viktima, por ata përsërisin të njëjtën histori dhe injorojnë këdo që vjen me fakte.”
Reagimet kanë qenë të ndryshme. Disa bëjnë thirrje për bojkot të produkteve të saj, ndërsa të tjerë, kanë lavdëruar Huda-n dhe janë zotuar të blejnë produktet e saj.
“Ndryshe nga shumë të tjerë, zgjodhët të përdorni platformën tuaj për të luftuar për atë që është e drejtë, pavarësisht ndikimit që mund të ketë në biznesin tuaj,” shkroi dikush. "Diçka që shumë njerëz nuk kanë guxim ta bëjnë."