Një ngjarje tronditëse ndodhi disa ditë më parë, ku një vajzë 26-vjeçare u përdhunua nga 3 djem (dyshohet se është përfshirë edhe një tjetër person, sipas gazetares Afrovita Hysaj), nën efektin e substancave narkotike.
Dinamika e ngjarjes, sipas mediave, është e tillë: Djemtë dhe vajza po festonin lirimin e një shoku nga burgu. Ata shkuan në një bar, ku konsumuan alkool dhe substanca narkotike e më pas, shkuan në hotel, ku ndodhi edhe përdhunimi.
Vajza u paraqit pa ndjenja në spitalin e Vlorës, pasi recepsionisti e kishte gjetur në ambientet e hotelit. Kur vajza u përmend, rrëfeu ngjarjen e rëndë. Në disa lajme, u raportua se vajza, fillimisht akuzoi djemtë, por më pas ndryshoi dëshminë, duke u shprehur se "kishte kryer marrëdhënie me dëshirë me të tre djemtë".
Lajmi se dëshmia u ndryshua
Në media qarkulloi edhe një lajm, i cili u përhap me shpejtësi: "26-vjeçarja ndryshon dëshminë", duke thënë se ajo "kishte kryer marrëdhënie me dëshirë me djemtë". Menjëherë, njerëzit aluduan se vajza ishte kërcënuar dhe për këtë u detyrua të ndryshojë dëshminë dhe të tërhiqet nga padia. E vërteta qëndron vetëm për pjesën e kërcënimit.
Dëshmia e vajzës
Vajza dha dëshminë, e cila u transmetua edhe nga emisioni "Me Zemër të Hapur". Ajo i mohoi këto lajme, duke treguar edhe kërcënimet që ka marrë nga familjarët e një prej personave.
"Nuk është e vërtetë që kam ndryshuar dëshminë. Unë kam dhënë 2 herë të njëjtën dëshmi. Më ka ardhur mamaja dhe miku i një personi dhe më kanë kërkuar që të ndryshoj dëshminë dhe më kanë kërcënuar".
Ajo u shpreh se ka akuzuar 2 djem. "Unë 2 personave ua kam dhënë emrin", tha ajo, duke treguar se ka pasur lidhje intime me një ndër personat e akuzuar, i cili është i martuar dhe ka fëmijë. Viktima e përdhunimit u shpreh se nuk ishte në dijeni të martesës së tij dhe se kishte 2 vite e lidhur me të.
Vajza tha se ajo shkoi për të konsumuar një kafe me partnerin dhe s'e dinte që ai do të merrte me vete edhe shokët. "Jo, unë s'kam qenë në dijeni", tha ajo.
"Më kanë dhënë lëndë narkotike me detyrim dhe s'kisha mundësi të kërkoja ndihmë", tha ajo, duke u shprehur se më pas nuk mban mend se ç'ka ndodhur, duke treguar se nuk e mban mend emrin e hotelit dhe as se si është gjendur atje.
Vajza rrëfeu se mjekët kanë bërë një ekspertizë dhe kanë kuptuar se ajo është përdhunuar.
Kërcënimet nga nëna dhe miku i të akuzuarit
Ajo tha se nëna e një prej djemve, e ka vizituar në spital dhe i ka thënë:
"Jam e ëma e njërit prej shokëve të tu. Ke bërë një akuzë dhe ke denoncuar djalin tim. Duhet ta heqësh denoncimin, sepse sot, nesër ti do të dalësh nga spitali dhe ai mund të dalë nga burgu dhe ai ka shoqëri pas. Atëherë, ose duhet të heqësh denoncimin, ose (rrezikon) jetën. Atë e pret një fëmijë 7-muajsh në shtëpi dhe ti ke bërë një krim të rëndë që e ke denoncuar", ishte shprehur zonja, a thua se i biri i saj nuk është personi që ka bërë krimin, por vajza që e ka denoncuar. Sado absurde të duket, 26-vjeçarja dëshmon se ka ndodhur.
"Të njëjtin presion ka bërë edhe një shoku i tij", tha vajza, duke shtuar se është përgjegjësia e mjekëve që i kanë lejuar ta vizitojnë në dhomën e spitalit dhe theksoi se dëshmia nuk është hequr.
Ajo ka dhënë dhe një deklaratë për emisionin "Piranjat", ku është shprehur: "Nuk kam vajtur me deshirë me këta persona sepse isha e lidhur vetëm me njërin prej tyre. Nuk do t'i fal asnjëherë".
View this post on Instagram
Kërcënimi ndaj gazetares
Më pas, ngjarja u përshkallëzua, pasi Afrovita Hysaj, gazetare, akuzoi një tjetër person të përfshirë në ngjarje dhe personi i akuzuar kishte lidhje familjare me pronarin e televizionit "6 + 1".
Afrovita është kërcënuar nga pronari i televizionit, Albert Deliaj, i cili e kanosi në telefon dhe i shkroi mesazhin "Je në gjak me mua". Screenshot është siguruar nga Fox Web.
"6+1" shkroi një artikull ku e etiketonte Afrovitën si "prosti" (shkurtim i fjalës "prostitutë") dhe për këtë reagoi menjëherë "Shoqata e Gazetarëve Profesionistë", që kërkoi të fshihej menjëherë artikulli, për shkak të thyerjes së kodit etik dhe gjuhës denigruese me të cilën u shkrua.
Sa i përket Albert Deliajt, është nën hetim nga policia, e cila dha këtë deklaratë: "Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë kanë referuar materialet në Prokurori dhe u procedua në gjëndje të lirë, për veprën penale "Kanosja", shtetasi A. D., 57 vjeç, banues në Vlorë pasi: Shtetasja A. H., 34 vjeçe, banuese në Vlorë, me profesion gazetare, ka kallëzuar se është kanosur me fjalë nëpërmjet telefonit, nga ky shtetas, për shkak të një lajmi që ajo ka publikuar, lidhur me rastin e 26-vjeçares nga qyteti i Vlorës, e cila dyshohet se është nxitur të përdorte lëndë narkotike nga disa shtetas, 3 prej të cilëve më pas dyshohen se kanë kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me të".
Kamerat nga hoteli
Emisioni investigativ "Piranjat" ka mundësuar videon e momentit kur vajza shoqërohet nga një person, i cili e kap nga krahët. Dyshohet se ai ka qenë partneri i saj. Vajza duket në gjendje jo të mirë dhe e paaftë për të dhënë miratim.
Më pas, në video, shfaqet edhe momenti kur vajza del nga hoteli, në gjendje të rëndë. Këtë herë, e pashoqëruar.
View this post on Instagram
Është kryer ekspertiza mjeko-ligjore?
Pavarësisht se vajza tha se është kryer ekspertiza dhe ajo është njoftuar se është përdhunuar. Por, gazetarja Afrovita Hysaj për "Dita Jonë" u shpreh: "A e dini që mjeku ligjor ende nuk e ka kryer ekspertizën?", duke shtuar se: "Vlerë kanë dokumentet dhe në këto kushte, ajo vajzë, është e rrezikuar, nëse ngjarja është ashtu siç e tregon. Ajo vajzë është e rrezikuar, sepse mund të mos e marrë drejtësinë që meriton".
Afrovita shtoi se ekspertiza do të kryhej pas vizitës së Taulant Ballës, i cili shkoi në Vlorë dhe u shpreh se mbështet vajzën dhe familjen e saj, si dhe theksoi se është krijuar një kulturë pandëshkueshmërie për dhunën seksuale, por garantoi se kjo do të marrë fund, megjithatë, ende s'është kryer ekspertiza.
View this post on Instagram
Mendimet e pavenda, të cilat çuditërisht marrin hapësirë televizive
Megjithë shokimin e opinionit publik, sërish kishte komentues dhe njerëz që fajësonin viktimën. Një prej këtyre opinioneve u publikua edhe në Anabel, ku zonja Vjollca Pustina u shpreh se vajzat duhet të kenë më shumë kujdes dhe se "meshkujt, meshkuj janë".
Më e keqja në këtë situatë? Askush nuk reagoi në studio, deklarata u dha në Vizion Plus, një televizion kombëtar dhe kaloi thjesht me disa tundje koke, aprovuese apo jo në studio. Gjithsesi, duhet ta rikujtojmë se viktima nuk gjykohet në asnjë situatë dhe asnjë rrethanë. Vajzat mund të dalin, të festojnë e të veshin ç'të duan, kjo s'u jep aspak të drejtë djemve që të kryejnë krime të tilla. Le të mos bëjmë hapa mbrapsht, por të edukojmë siç duhet brezat!
View this post on Instagram
Dy djem të arrestuar, 1 në kërkim
Dy të rinjtë e arrestuar janë akuzuar me masën "arrest me burg", ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.
Policia bëri një përditësim mbi ngjarjen, ku u shpreh: "Në vijim të njoftimit të dhënë më datë 22.10.2023, për vënien në pranga të 2 shtetasve dhe shpalljen në kërkim të një shtetasi tjetër, të cilët dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me një 26-vjeçare, të cilën paraprakisht e kanë nxitur të përdorë lëndë narkotike, sqarojmë se: Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë, në drejtimin e Prokurorisë, kanë vijuar hetimet e thelluara për këtë rast. Në vijim, janë referuar materialet në Prokurori, për veprën penale "Nxitja për përdorimin e drogës", edhe për shtetasin V. K., 36 vjeç, banues në Vlorë dhe vijon puna për kapjen e tij. Ky shtetas dyshohet se ka bashkëpunuar me shtetasit O. T., A. C. dhe G. M., për të nxitur 26-vjeçaren që të konsumojë lëndë narkotike. Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme".
*Artikulli do të përditësohet për lajme të reja.