Një situatë jo e zakonshme ka ndodhur ditën e djeshme gjatë një seance parlamentare në Itali, ku një pyetje e një zyrtari italian shkaktoi një debat mbi racizmin.
Pasi kryeministrja Giorgia Meloni përfundoi fjalën e saj, presidenti i Senatit Ignazio La Russa tha: "A është ende shqiptarja?". Kjo ishte pyetja që ai i drejtoi për të marrë një konfirmim, ndoshta pa e ditur që mikrofoni ishte i hapur dhe situata përfundoi në media dhe rrjetet sociale. Pyetja ishte për Jorida Tabakun, e cila në cilësinë e kryetares së Komisionit të Integrimit Europian ishte pjesë e delegacionit shqiptar gjatë vizitës disaditore në Itali.
View this post on Instagram
Pas marrjes së konfirmimit, La Russa tha: "Shfrytëzoj rastin të përshëndes të nderuarën Jorida Tabaku, kryetare e Komisionit të Integrimit Europian të Kuvendit të Shqipërisë, e cila e shoqëruar nga një delegacion po na viziton".
Por, menjëherë pas kësaj, njerëzit kanë "kryqëzuar" me komente zyrtarin italian duke e cilësuar deklaratën si raciste ndaj shqiptarëve.
"Në vitin 2023, duhet t'u drejtohesh njerëzve në emër, jo përmes përkatësisë etnike", shkruajnë disa në komente, e të tjerë theksojnë se vënë re një lloj toni diskriminues në fjalinë e tij.
Njerëzit duket se e kanë konsideruar pyetjen si raciste duke marrë parasysh qëndrimet politike të La Russa-s.
Zyrtari është akuzuar shpesh si një politikan neofashist. Ai ka deklaruar se "ne të gjithë jemi trashëgimtarë të Duçes". Ideologjia e Benito Mussolini-it për racat përqendrohet rreth nacionalizmit dhe besimit në epërsinë e racës italiane. Ligjet racore fashiste u frymëzuan nga Gjermania naziste, megjithëse nuk u zbatuan në të njëjtin nivel brutaliteti si në Gjermani.
Por jo të gjithë mendojnë kështu. "Që kur na qenka racizëm t'i drejtohesh një shqiptari me "shqiptar"?", thonë disa të tjerë që duket se nuk e shënjestrojnë për keq pyetjen e zyrtarit italian.
"Nuk është një gafë...Është thjesht nga Shqipëria dhe rrjedhimisht shqiptare. Nëse në Shqipëri më quajnë "ajo italiania" nuk më duket gjë e çuditshme!! Qetësohuni pak!", shkruan një tjetër.
Njerëzit janë të ndarë përsa i përket qëndrimeve.