
Angelina Jolie ka reaguar ndaj luftës në Gaza, e cila po përshkallëzohet çdo ditë e më shumë. Në një postim të gjatë në Instagram, Jolie u shpreh:
“Si miliona njerëz në botë, kam kaluar javët e fundit e nevrikosur me sulmin terrorist në Izrael, me vdekjen e kaq shumë civilëve dhe duke menduar se si mund të ndihmoj. Gjithashtu, po lutem për rikthimin e menjëhershëm dhe të sigurt të çdo personi që është marrë peng dhe për familjet, të cilat mbajnë peshën e paimagjinueshme të vrasjes së një njeriu të dashur. Mbi të gjitha, për fëmijët e vrarë dhe për shumë fëmijë që kanë mbetur jetimë. Ajo që ka ndodhur në Izrael është një akt terrori, por nuk mund të justifikojë humbjen e jetës së njerëzve të pafajshëm me bombardimet e popullsisë civile në Gaza, të cilët nuk kanë ku të shkojnë, nuk kanë akses në ushqime dhe ujë, nuk kanë mundësi evakuimi dhe as të drejtat bazike njerëzore që të kalojnë kufirin”, referuar mbylljes së kufijve nga vendet fqinje.
Ajo tha se duke qenë se ka punuar me çështjet e refugjatëve për 20 vite, është fokusuar te njerëzit që janë zhvendosur për shkak të dhunës në çdo formë të saj, duke shtuar se bombardimet kanë krijuar nevoja të shumta dhe të dëshpëruara për ndihma humanitare.
“Jetët e palestinezëve dhe izraelitëve – dhe jetët e gjithë njerëzve kudo në botë – kanë të njëjtën rëndësi”, u shpreh aktorja.
“Gjithçka që ndalon vrasjen e civilëve dhe shpëton jetë, duhet të bëhet. Si shumë të tjerë, kam dhuruar për ndihma mjekësore. Kam zgjedhur që të mbështes punën e “Doctors Without Borders” dhe po i ndjek nga afër raportimet e tyre", përmbylli deklaratën ajo.
View this post on Instagram
Megjithatë, reagimi i Jolie s’u ka pëlqyer njerëzve, të cilët i janë kundërvënë në komente, duke e quajtur deklaratën “neutrale”, në një moment kaq kritik në historinë e Palestinës.
"Më fal, por po të bëj menjëherë unfollow. Ky s'është momenti të qëndrosh neutrale", komentoi dikush, ndërsa një tjetër komentues u shpreh: "7000 njerëz të pafajshëm vdiqën! 500 prej tyre vetëm në spital! Izraeli e bën gjithnjë këtë në Gaza, gjithnjë krijon konflikt në rajon. Palestina e lirë".
"Pse gjithë të famshmit e nisin duke folur për Izraelin? Që të jeni në anën e sigurt? Izraeli ka vrarë më shumë se 7000 njerëz, më së shumti fëmijë. Pse s'i quani "terroristë"?", u shpreh dikush tjetër.
"Deklarata jote është konfuzuese. Po përpiqesh të jesh neutrale? Si dikush që ka punuar nga afër me refugjatët, duhet ta dish më mirë historinë", komentoi një tjetër ndjekës, duke shtuar që si fans është i zhgënjyer me qëndrimin nga "krahu i sigurt". "As fjala "gjenocid" nuk duket", përfundoi komenti, me hashtags pro Palestinës.
"Çfarë mesazhi zhgënjyes".
"Ha me ujkun dhe qan me fermerin. Çfarë turpi! Ka vetëm një anë që duhet mbajtur: me Palestinën".
"Ç'postim zhgënjyes nga dikush që mendonim se është e edukuar dhe e patrembur. Mesa duket jo".
"E di që je në anën e "njeriut", por të thuash "sulm terrorist në Izrael"? Pse nuk shton "gjenocidi në Paestinë", nëse është kaq e rëndësishme barazia?".
"Të qëndrosh neutral, nuk është opsion".
Ndërkohë, Ministra e Shëndetësisë në Gaza, e drejtuar nga Hamasi, thotë se vdekjet kanë arritur në shifrën 8005 njerëz, ndërsa sipas sekretarit të Kombeve të Bashkuara, António Guterres, situata po përkeqësohet nga ora në orë.
Forcat izraelite, në 24 orët e fundit kanë qëlluar në mbi 450 shënjestrime të Hamasit dhe njerëzit enden kudo nëpër rajon, për të marrë ndihma bazike humanitare, pasi raketat izraelite kanë qëlluar zonat rreth spitalit më të madh në zonë, duke shkatërruar rrugët.
Të premten, u shkëput energjia elektrike dhe interneti, duke e lënë Gazën në errësirë totale dhe njerëzit, gjithnjë e më shumë po binden se qëllimi i Izraelit është të shfarrosë popullin palestinez.