Një pikturë e Pablo Picasso, kushtuar “muzës së artë” dhe “dashurisë së tij të fshehtë” është shitur për 139.4 milionë dollarë në New York. Kjo është piktura e dytë më e shitur e piktorit me më shumë ndikim në shekullin 20-të.

“Femme á la montre”, e pikturuar në vitin 1932, bënte pjesë në koleksionin e Emily Fisher Landau, një prej koleksionuesve të artit më të njohur dhe u shit të mërkurën. Portreti është krijuar gjatë periudhës kur Picasso krijoi një raport me Marie-Thérèse Walter. Marrëdhënia e tyre zgjati rreth 7 vjet, kur Picasso ishte ende i martuar me Olga Stepanovna Khokhlova. Picasso dhe Marie u bënë prindër të një vajze, Maya.

Lidhja nisi kur artisti 45-vjeçar pa vajzën 17-vjeçare nga dritarja e një galerie në Paris dhe qysh prej asaj kohe, ajo ishte “muza e tij e artë”, e cila e frymëzoi në krijimin e pikturave, vizatimeve dhe skulputrave të ndryshme, të cilat shpeshherë janë cilësuar si krijimet më të mira të piktorit.

Piktura u ble në vitin 1968 nga Fisher Landau, e cila e ekspozoi në sallonin e apartamentit të saj në New York. Kur ajo ndërroi jetë, në moshën 102-vjeçare, koleksioni i saj i artit ishte mbresëlënës. Ajo kishte vepra nga Mark Rothko, Franz Kline, Henri Matisse, Georgia O’Keeffe, Piet Mondrian, Paul Klee etj. Vetë Andy Warhol pikturoi një portret për të.
