T’i quajmë kaotike tri ditët e fundit në OpenAI do të ishte një nënvlerësim. Edhe nëse do t’i kërkonim ChatGPT të shkruante një përmbledhje për ngjarjet e çuditshme së fundmi në kompani, me gjasë chatbot-i OpenAI nuk do të ishte në gjendje ta bënte këtë. Në tri ditë, kompania ka ndërruar tre CEO (drejtorë ekzekutivë).
E gjitha nisi me shkarkimin e Sam Altman nga bordi OpenAI (CEO #1). Në një deklaratë të publikuar nga bordi i drejtorëve të OpenAI, u tha se "bordi nuk ka më besim në aftësinë e tij për të vazhduar udhëheqjen e OpenAI". Altman në një postim në X e përshkroi përvojën si "të çuditshme" dhe mendoi se "ka qenë si të lexosh eulogjinë tënde ndërsa je ende gjallë".

Mira Murati, e cila ishte drejtoresha e teknologjisë në OpenAI, u emërua CEO e përkohshme. Mira ka lindur në Vlorë, është rritur në Shqipëri, u zhvendos në Kanada në moshën 16-vjeçare. Ajo udhëhoqi skuadrën që krijoi ChatGPT.

Pas shkarkimit të Altman (CEO #1) dhe vendosjes së Muratit (CEO #2), rrjetet sociale u mbushën me postime për shkarkimin e Altman. Punonjësit e kompanisë kërcënuan të largoheshin nëse Altman nuk rivendosej në detyrën e mëparshme. U raportua se edhe Murati donte të kthente Altman-in. Altman u kthye për të diskutuar mundësinë për t'u rikthyer një ditë pasi u shkarkua. Megjithatë, sipas një raporti nga The Information, bisedimet dështuan dhe OpenAI tani ka një CEO të ri.

Emmett Shear (CEO #3), ish-CEO i Twitch, tani është emëruar CEO i përkohshëm i OpenAI. Sipas një raporti të The New York Times, bordi i OpenAI u dërgoi një mesazh punonjësve dhe informoi se Shear ishte CEO i ri.