Në pamje të parë, ngjan me një nga ato historitë e lexuara në romane që përfundon me një “fund të lumtur”, pavarësisht të gjitha problemeve apo dyshimeve për dashurinë mes partnerëve. Këtë herë, po flasim për një histori të vërtetë që ka protagonistë dy njerëz jo të zakonshëm, por dy individë me statuse të rëndësishme.
Zonja e parë e Francës, Brigitte Macron ka bërë një rrëfim të rrallë për historinë e saj të dashurisë me presidentin francez në një intervistë me revistën Paris Match.
Çifti filloi të takohej për herë të parë kur ajo ishte 40 vjeçe dhe ai 15. Ajo ka qenë mësuesja e tij e dramës.
Për të zyrtarizuar historinë e dashurisë me nxënësin e saj, Brigitte priti 10 vite dhe kishte një motiv pas këtij vendimi. Frika se mund të shkatërronte jetën e fëmijëve të saj, që ishin thuajse në të njëjtën moshë me të dashurin, ishte një nga arsyet që e pengonte për të shkuar drejt altarit me njeriun e zemrës.
“E vetmja pengesë ishin fëmijët e mi,” tha ajo. “Mora kohë që të mos shkatërroja jetën e tyre. Kjo zgjati 10 vjet, kohë që duhej për t'i vendosur gjërat në shina. Mund ta imagjinoni se çfarë do të dëgjonin për mamanë e tyre? Por, unë nuk doja të humbisja jetën time.”
“Romanca” e nisur mes tyre shkaktoi skandal asokohe në vendin ku jetonin. Ndaj, prindërit e Emmanuel Macron, kur mësuan për historinë e dashurisë së të birit me mësuesen, e dërguan atë në Paris për të ndjekur një shkollë tjetër, por dëshira e tij për të qenë me Brigitte-n dhe për ta mbajtur të gjallë këtë raport ishin më të mëdha se gjithçka.
Brigitte e ndjente frikën pas largimit të Emmanuel, se ai mund të dashurohej me një vajzë të moshës së tij në Paris, por kjo nuk ndodhi. Ajo dha dorëheqjen nga puna, por, e vetmja gjë që e pengoi të bashkohej me Macron ishte frika se mos kjo do të shkatërronte fëmijët e saj.
“Mu deshën 10 vjet. Por nuk doja të humbisja rastin për të jetuar e lumtur”, tha ajo.
Djali i Brigitte është tre vjet më i madh se Macron dhe vajzat e saj 46 dhe 39 vjeç sot nuk kanë shumë diferencë me bashkëshortin e dytë të saj. Brigitte tha se nuk e dinte se çfarë do të mendonin prindërit që ajo do të martohej me ish-nxënësin, por zbuloi se vëllezërit e motrat ndonjëherë e ngacmonin për thashethemet rreth marrëdhënies së saj me Macron.
Brigitte dhe Emmanuel u martuan në vitin 2007, pas divorcit të Brigitte nga burri i saj Andre-Louis Ozier.
Zonja e Parë e Francës ka folur për përditshmërinë e saj me bashkëshortin, diçka që zakonisht e shmang në intervistat e saj.
"Sigurisht, ne hamë mëngjes së bashku, unë dhe rrudhat e mia, ai me rininë e tij, por është kështu," tha ajo për Elle vite më parë. “Nëse nuk do ta bëja atë zgjedhje, do të kisha humbur jetën time. Kisha shumë dashuri për fëmijët e mi, por ndjeva se duhej të jetoja edhe këtë dashuri, për të qenë plotësisht e lumtur.”