Vajza e Beyoncé-s, Blue Ivy lexoi komentet e njerëzve në rrjete sociale, të cilët talleshin me lëvizjet e saj të kërcimit në turneun “Renaissance”, por nuk hoqi dorë.
Sipas New York Times, që ka parë paraprakisht filmin e ardhshëm të Beyoncé-s mbi turneun, këngëtarja nuk u ndje mirë kur vajza e saj 11-vjeçare lexoi komentet që e kritikonin.
“Por mamaja e saj e bindi që në vend që të hiqte dorë, ajo duhej të punonte dhe të stërvitej edhe më shumë për koncertet e ardhshme,” shkruan New York Times.
Blue u shfaq për herë të parë në skenë në maj kur Beyoncé performoi në Paris.
Koncert pas koncerti, Blue u përmirësua dukshëm. Shumë fansa shkruan se janë “krenarë” për faktin që Blue nuk hoqi dorë dhe se ajo “po mëson si të jetë një interpretuese e zonja”.
“Renaissance: A Film by Beyoncé” do të transmetohet në kinema më 1 dhjetor.