Sipas një raporti nga organizata Human Rights Watch (HRW), Meta – kompania që zotëron Facebook dhe Instagram – ka censuruar në mënyrë sistematike dhe në mbarë botën postime pro-Palestinës që nga shpërthimi i luftës Izrael-Gaza më 7 tetor.
Në një raport me 51 faqe, HRW dokumentoi dhe shqyrtoi më shumë se 1,000 raste të raportuara mbi heqjen e postimeve nga Meta dhe pezullimit ose mbylljes së përhershme të llogarive në Facebook dhe Instagram.
Organizata vë në dukje “gjashtë modele kryesore të censurës së panevojshme" të përmbajtjes në mbështetje të Palestinës dhe palestinezëve, duke përfshirë heqjen e postimeve dhe komenteve; çaktivizimin e llogarive; kufizimin e aftësisë së përdoruesve për të bashkëvepruar me postimet e të tjerëve; dhe shadow banning, ku postimet e një llogarie nisin të mos shfaqen shumë.
Më parë, përdoruesit kanë akuzuar Meta-n për qëndrime paragjykuese në favor të përmbajtjeve pro-izraelite dhe kundër-palestineze. Softueri i përkthimit të Instagram-it zëvendësoi "palestinez" i ndjekur nga fraza arabe "Lavdërimi i qoftë Allahut" me "terroristët palestinezë" në anglisht. Inteligjenca artificiale e WhatsApp-it, kur iu kërkua të gjeneronte imazhe të djemve dhe vajzave palestineze, krijoi fëmijë me armë, ndërsa imazhet tek fëmijët izraelitë nuk përfshinin armë zjarri.
Në një deklaratë për Guardian, Meta pranoi se ka bërë gabime që janë “zhgënjyese” për njerëzit, por tha se “pretendimi se ne i censurojmë qëllimisht dhe sistematikisht është i rremë.”