Kozeta Kurti, të cilës i është besuar promovimi i “Festivalit të Këngës” në disa edicione të mëparshme të tij, në një shkrim të gjatë në Facebook, kritikon ndër të tjera organizimin e festivalit të këtij viti, ku ndalet edhe te këngëtarja Elsa Lila.
"Miq, nuk dua të zhvlerësoj Festivalin, por gjithçka buron vetëm nga dashuria që kam për të (e nuk jam e vetmja). Nëse do vazhdoja, nuk di kur dhe ku do përfundoja, por s’mund të lë pa përmendur ndasitë e krijuara midis garuesve, si psh: “Këndon e madhja Elsa Lila”. Në garë Elsa është si Besa, si Vesa, si Kastro, si Tiri, madje edhe si më të rinjtë, Martina, Mikela etj etj,” shkruan Kurti.
Në vijim, ajo kritikon sjelljen skenike të Elsa Lilës, e cila sipas Kurtit, “vodhi kohë televizive në mënyrë të padrejtë.”
“Të gjithë mund të merrnin kohë televizive më shumë siç bëri Elsa, por askush nuk e bëri. Të gjithë mund ta luanin rolin e “nxitësit të tifozëve” si dirigjenti italian, bashkëpunëtori i Elsës, por nuk e bënë,” shkruan gazetarja.
“Elsa Lila mori atë që meritoi nga publiku: shpërblimin për sjelljen arrogante skenike, leksionin që na dha, duke përdorur skenën e Festivalit për të shfaqur hakmarrjen e vet ndaj njerëzve që komentuan se për herë të dytë radhazi, i mugonte artikulimi dhe se nuk kuptohej e që vodhi kohë televizive në mënyrë të padrejtë,” thekson Kozeta.
Elsa Lila konkurroi në edicionin e 62 të “Festivalit të Këngës” me “Mars”, një këngë kushtuar periudhës së qëndrimit të saj në burg. Lila nuk fitoi asnjë çmim.