
Herët a vonë, në çdo shoqëri ndodh diçka e pashmangshme: Shoqja jote e ngushtë, personi me të cilin ti kalon shumicën e kohës, njihet me dikë të mrekullueshëm dhe ti mbetesh vetëm. Sigurisht, je e lumtur për shoqen tënde, je e lumtur që ajo është e lumtur, por edhe ti ke nevojë për vëmendje dhe dashuri, e përfundon e vetmuar, e trishtuar dhe e neglizhuar.
Ç’të bësh?
1) Mund t’i lësh këto ndjenja pas dore deri sa të shpërthejnë në një sherr të shëmtuar.
2) Mund t’ia shprehësh të gjitha në një monolog të ndjerë që me siguri do ta bëjë shoqen tënde të ndihet në faj, në siklet ose me nerva.
Ose 3) Mund të flisni me qetësi si dy të rritura. Dy alternativat e para mund të duken të lehta për t’u realizuar, por nëse do një miqësi jetëgjatë dhe të shëndetshme, le të zgjedhim 3).
Flisni përballë
Shumë konotacione, kuptime të fshehura dhe simbole jo verbale humbasin në mesazhe. Është e vështirë të komunikosh efektivisht përmes ekranit të një celulari dhe prandaj gjëja e duhur për t’u bërë është një bisedë përballë.
Kur jeni përballë njëra-tjetrës i komunikoni më lehtësisht emocionet dhe mund të shohësh në kohë reale reagimin e saj. Nuk do që të lësh asgjë të hapur për interpretim, fol hapur dhe qartë.
Planifikoje më herët me shoqen takimin, i cili duhet të duket sikur po organizon një takim me shefin. Shpreh se ke nevojë të flisni dhe më pas sugjero një vend dhe një orar.
Mos shko e papërgatitur dhe e ngarkuar emocionalisht
Do të ishte ideale të shkruaje pikat kyçe për të cilat do të flasësh në një letër. Në këtë mënyrë, biseda do të qëndrojë brenda temës dhe nuk do të bëhet emocionale shpejt.
Mbaje tonin e bisedës neutral. Qëllimi nuk është të sulmosh shoqen se pse kalon kaq shumë kohë me të dashurin. Qëllimi është të kuptosh se ç’po ndodh. Dëgjo dhe mblidh sa më shumë informacion, për të kuptuar se si ndihet ajo në këtë situatë.
Komuniko ndjenjat pa dalë nga tema
E mira e të mirave është të qëndrosh te faktet. Trego se ç’ndodhte më përpara me ju të dyja dhe krahasoje me atë që po ndodh tani. Për shembull: nëse më përpara kalonit çdo të shtunë bashkë, tani s’kaloni asnjë ditë bashkë. Pas kësaj, fol për mënyrën si ky fakt të bën të ndihesh.
Përdor sa më shumë fjali që nisin me “unë”. Të tipit “unë ndihem kështu”, dhe jo “ti më bën të ndihem kështu”.
Përdor një ton të butë, qëndro e qetë dhe mos reago me duar e me mimika fytyre.
Por nëse shoqja fillon të ndihet keq...
Lëre bisedën aty. Nëse do të vazhdosh t’i mëshosh argumenteve të tua dhe shoqja do të vazhdojë të mbrojë veten, asgjë e mirë s’do të dalë nga kjo bisedë, thjesht do të përfundojë në sherr. Bëja të qartë që e kupton pse ajo ndihet e nevrikosur apo e mërzitur dhe lëre bisedën me aq. Mund të thuash diçka të tipit “e kuptoj pse ndihesh kështu, por s’dua të flasim në gjaknxehtësi për këtë çështje.”