Falë një tendence të re në TikTok, është çështje kohe para se të shihni dikë që rastësisht hedh hapa mbrapa në park, në palestër ose në një ambient pune. U çuditët? Epo, ka disa arsye që qëndrojnë pas kësaj sfide të re!
Me mbi 36 milionë shikime, njerëzit në TikTok janë shumë entuziastë për përfitimet e ecjes në të kundërt. Sipas ekspertëve, përfitimet shëndetësore janë të shumta, nga ndërtimi i muskujve të rinj te përmirësimi i ekuilibrit.
Nuk është e nevojshme të ecni mbrapsht për një kohë të gjatë, por mjafton ta nisni nëse doni të investoni në mirëqenien e përgjithshme, sipas Michael Hamlin, një trajner personal fitnessi.
Kur ecni mbrapa, ju i lëvizni muskujt në një mënyrë të ndryshme nga sa bëni në një ecje normale. Sigurisht, ka shumë mënyra të tjera për të forcuar grupet e muskujve, por fuqizimi i pjesës së poshtme të trupit është një nga përfitimet kryesore.
"Për më tepër, ecja prapa mund të përmirësojë ekuilibrin pasi sfidon trupin të lëvizë në një mënyrë jo normale, duke rritur ndërgjegjësimin dhe koordinimin me ambientin," thotë Hamlin.
Një përfitim tjetër? Mund të bëjë mrekulli për dhimbjen e gjunjëve. Kjo për shkak se balancon muskujt e këmbëve që ata të japin më shumë mbështetje.