Mbretëresha e ndjerë Elizabeth II jo vetëm nuk e ka aprovuar emrin e vajzës së Meghan Markle dhe princit Harry, por as nuk ka pasur një bisedë me të për këtë çështje, ndryshe nga çfarë është thënë nga çifti.
Në biografinë e famshme “Charles III: New King. New Court. The Inside Story” që pritet të botohet, ndër të tjera është prekur edhe kjo temë. Libri është shkruar nga Robert Hardman, një gazetar britanik, autor dhe regjisor dokumentarësh më i njohur për punën e tij në familjen mbretërore britanike.
“Mbretëresha ishte shumë e nxehur kur lexoi për deklaratat e çiftit mbi aprovimin e përdorimit të nofkës që Elizabeth kishte kur ishte fëmijë”, shpjegohet ndër të tjera në libër.
Ky detaj del pothuajse 2 vite pasi burime pranë pallatit rrëfyen për BBC se Mbretëresha nuk ishte pyetur kurrë për opinionin e saj lidhur me emrin e Lilibet.
Pjesëtari i stafit që ka zbuluar lajmin për librin shprehet se nuk e ka parë kurrë mbretëreshën aq të inatosur sa ditën kur lexoi këtë lajm.
Marrëdhënia e çiftit me familjen mbretërore pas largimit nga Britania ka qenë gjithmonë në fokus të mediave dhe siç është konfirmuar shpesh, gjërat nuk kanë qenë mirë.