Rrjetet sociale janë tregues të mirë të asaj që po ndodh me shoqërinë në momentin që flasim, po ashtu edhe njoftojnë për gjithë trendet e momentit në raportet njerëzore. Kur vjen puna te marrëdhëniet, platformat në fjalë na kanë bërë të flasim për ghosting (kur një person zhduket nga jeta jote papritur), gaslighting (kur përballesh me dikë dhe ai/ajo manipulon faktet dhe situatën në favorin e vet), love bombing (një person që jep shumë dashuri deri në tepricë), rishtazi, edhe për tradhtinë “e pafajshme”.
Të gjitha këto janë shndërruar në fenomenet moderne të sjelljeve toksike që të gjithë i shohim. Edhe pse kanë ekzistuar gjithmonë, tani secili ka një emër specifik të pagëzuar në rrjetet sociale dhe jo vetëm.
Ç’është tradhtia “e pafajshme”?
Praktikisht, lidhet me gënjeshtrat, premtimet e thyera dhe të vërteta të thëna përgjysmë.
“Problemi kryesor i shoqërisë sonë është fakti që kur flitet për tradhti, njerëzit i referohen vetëm raportit seksual”, thotë Xavier Guix, psikolog i specializuar në komunikim dhe neurolinguistik.
Sipas tij, të prishësh një premtim për raport afatgjatë, apo të gënjesh partnerin tënd janë akte që duhen trajtuar me shumë seriozitet, pavarësisht pranisë së seksit.
Thënë kjo, kur një person i tretë hyn në marrëdhënie nisin gënjeshtrat e thëna përgjysmë, bisedat anashkalohen pa u çuar deri në fund dhe të vërtetat shmangen.
Guix thekson se mungesa e respektit ndaj gjithë kujtimeve që bëjnë bashkë dy njerëz, po ashtu mungesa e sinqeritetit janë dhe duhet të shikohen si një akt tradhtie edhe kur nuk ka të përfshirë aktin seksual.
Si ta dallosh nëse personi që ke në krah po të tradhton?
Sinjali i parë është sjellja paranojake. Këta individë kanë tendencën të lënë telefonin të kthyer nga ana tjetër, hapin rrjete sociale të tjera pa informuar partnerin (për shembull llogari në Tinder), rrinë shumë kohë duke biseduar online dhe ikin në dhomë tjetër nëse marrin një telefonatë.
Për të shmangur situata të pakëndëshme, në këto raste mirë është të kontrollohen nervat dhe të krijohet një hapësirë e paqtë komunikimi që lejon të dy personat të flasin dhe të vendosin limite të reja në marrëdhënien e tyre.