
Princi Harry ka thyer heshtjen pas vizitës të se atit, Charles III, i cili vuan nga kanceri. Në një intervistë për “Good Morning America”, princi, u shpreh se e do familjen e tij dhe mendon se rastet e sëmundjeve i bashkojnë familjet.

“Dëgjo, e dua familjen time”, tha duka i Sussex përballë moderatorit Will Reeve. “Fakti që pata mundësinë të hipja në atë avion dhe të shkoja ta shihja e të kaloja kohë me të, më bën të ndihem shumë mirënjohës”.
Reeve pyeti princin nëse diagnostikimi i Charles me kancer mund të jetë një shtysë që të sjellë pajtimin e familjes mbretërore dhe Harry u përgjigj: “Sigurisht! Po, jam i bindur. Mendoj se çdo sëmundje i bashkon familjet”.

Harry shtoi se do ta vizitojë të atin sa më shpesh të mundet.
Më 5 shkurt, pallati Buckingham njoftoi se mbreti Charles III vuan nga kanceri, duke mos treguar llojin, por siguroi publikun dhe mediat që nuk kishte të bënte me kancer në prostatë.

Në deklaratë shkruhej se mbreti është pozitiv për trajtimet që do të marrë dhe se dëshiron të kthehet në publik sa më shpejt.
Ndërkohë, ai do të shtyjë daljet publike. Mbreti, 75 vjeç, u rikthye në Londër gjatë mëngjesit të së hënës. Edhe pse ngjarjet publike do të jenë pezull për të, mbreti do të vijojë të luajë rolin e tij dhe të kryejë takime private.
Artikuj të sugjeruar: