Bota

Dyshohet se u eliminua nga Putin: Kush ishte Alexei Navalny, kritiku më i madh i regjimit rus?

Shkruar nga Anabel

17 Shkurt 2024

Dyshohet se u eliminua nga Putin: Kush ishte Alexei Navalny, kritiku më i

Alexei Navalny, 47 vjeç, ndërroi jetë në një prej burgjeve të territorit rus, pasi ishte dënuar me 19 vite burg për krijimin dhe financimin e një komuniteti që ishte kundër tiranisë së Vladimir Putin në Rusi. Vdekja e tij ngjalli një sërë protestash në vend, si rrjedhojë, edhe arrestime të demonstruesve.

Sipas Shërbimit të Burgjeve në Rusi, Alexei ndërroi jetë pasi humbi vetëdijen kur u kthye nga një shëtitje. Ai s’u ndje mirë, pretendojnë autoritetet dhe pavarësisht se mori ndihmën e parë, sërish nuk ia doli të jetonte. Vdekja u regjistrua në burgun “Ujku Polar” afër Arktikut, ku ai vuante dënimin.

Menjëherë, liderët botërorë akuzuan Vladimir Putin për eliminimin e Navalny. Vdekja e tij ndodhi 1 muaj para zgjedhjeve të 17 marsit në Rusi.

Dyshohet se u eliminua nga Putin: Kush ishte Alexei Navalny, kritiku më i

Por, kush ishte Alexei Navalny?

I lindur më 4 qershor 1976, në Butyn, Rusi, Alexei konsiderohet si kritiku më i madh dhe sfidues i Vladimir Putin dhe Kremlinit. Ai ishte pro demokracisë dhe është arrestuar disa herë nga autoritetet ruse. Ndonëse vdekja e tij tronditi njerëzit, sërish, Navalny e dinte se mund të vdiste pas hekurave.

Ai mbaroi studimet në universitetin e “Miqësisë së Popujve të Rusisë” në Moskë dhe mori diplomën për drejtësi në vitin 1998. Në vitin 2000, Alexei, ende student, iu bashkua partisë politike me prirje demokrate dhe liberale, e pagëzuar me emrin “YABLOKO”. 6 vite më vonë, u përjashtua nga partia, me pretendimin se kishte dëmtuar partinë me “aktivitete nacionaliste”, përfshirë këtu edhe për pjesëmarrjen në një marshim të ekstremit të djathtë. Vetë Navalny u shpreh se e kishin përzënë për shkak të përplasjeve të karaktereve me liderin e partisë.

Në 2008, ai nisi një fushatë kundër korrupsionit në Rusi, duke dokumentuar të gjitha përpjekjet e tij në një blog, i cili shpejt u bë shumë i njohur. 2 vite më vonë, përmes një faqeje në internet, ai publikonte kontratat korruptive të dhëna nga shteti. Nisma e tij shkoi përtej, pasi përfshiu edhe qytetarët, të cilët në mënyrë anonime mund të publikonin raste të ngjashme dhe të diskutonin online.

Të nxitur edhe nga puna e Navalny-t, rusët, në vitin 2011, u bashkuan për të bërë një ndër protestat më të mëdha që nga rënia e Bashkimit Sovjetik, duke protestuar për parregullsitë në zgjedhjet parlamentare në vend. Navalny krijoi një parti, e cila u mbështet shumë. Edhe pse u provuan mënyrat e manipulimit të votave, sërish partia e Putinit fitoi më pak se gjysmën e votave. Navalny u burgos për rreth 2 javë pasi mori pjesë në një protestë të paligjshme.

Kështu, afërmendsh, ai u vendos nën shënjestër nga autorietet ruse. Më 17 korrik 2013, Navalny shpalli kandidaturën e tij në garën për kryebashkiak në Moskë. Një ditë më vonë, u dënua me 5 vjet burg, për akuzat se ishte i motivuar politikisht. Për burgosjen e tij, mijëra njerëz protestuan masivisht në rrugët e Rusisë dhe më 19 korrik, ai u lirua.

Dyshohet se u eliminua nga Putin: Kush ishte Alexei Navalny, kritiku më i

Më 20 gusht 2020, ai u helmua me Navichok, një agjent nervor i shkallës ushtarake, i zhvilluar nga ish-Bashkimi Sovjetik. Navalny u sëmur rëndë gjatë fluturimit Moskë-Tomsk. Ekipi i tij ia doli ta çonte në spital, pas një uljeje emergjente dhe më pas, u dërgua në një spital në Berlin, ku u shërua. Kremlini, në mënyrë kategorike, mohoi se kishte gisht në këtë ngjarje dhe madje, supozoi se ndoshta Navalny s’ishte helmuar. Analizat e kryera në Francë, Gjermani dhe Suedi konfirmuan helmimin me Navichok.

Opozitari rus ishte shumë i dashur për popullin e vet. Ai i dënua me 19 vite burg në gusht të 2023-shit, pasi e shpallën fajtor për krijimin e një grupimi ekstremist, financimin e këtij grupimi, si dhe pjesëmarrjen në tubime të paligjshme. Ndërkohë, paralelisht vuante edhe dënimin me 11 vite e gjysmë në një burg të sigurisë maksimale për akuza që lidheshin me mashtrimin, të cilat ai i mohonte.

Në 3 vite dënim, Alexei është futur 26 herë në izolim. Katër muaj pas burgimit të tij, avokatët thanë se kishin humbur kontaktet me Navalny-n. Duke qenë se nuk u paraqit në disa nga seancat gjyqësore, u paraqitën 680 kërkesa për ta gjetur zërin më të fortë të kritikës së sistemit në Rusi dhe u deklarua se u gjurmua vendndodhja e tij. Ai ishte në burgun famëkeq “Ujku Polar”, i cili ka kushte të ashpra dhe regjim special.

Dyshohet se u eliminua nga Putin: Kush ishte Alexei Navalny, kritiku më i

Vdekja e tij u fsheh nga mediat ruse, por sërish, qytetarët e morën vesh se heroi i tyre kishte ndërruar jetë nga kushte të paqarta dhe të pabesueshme.

Një ditë më parë, kur lajmi qarkulloi nëpër mediat e huaja, gruaja e tij Yulia, u shpreh në Konferencën për Sigurinë e Mynihut: “Nuk e di nëse duhet t’i besoj lajmet e tmerrshme, por nëse është e vërtetë, dua që Putin, stafi, miqtë dhe qeveria e tij ta dinë se do të dënohen për atë që i kanë bërë vendit tonë, familjes dhe bashkëshortit tim. Ata do të dalin para gjyqit dhe kjo ditë është shumë e afërt”.

Lajmi i kobshëm u konfirmua nga zëdhënësi i Alexei, i cili tha se në opozitari kishte ndërruar jetë në orën 14:17 në orën lokale, më 16 shkurt dhe se trupi i tij ndodhet pranë hetuesve. Familja kërkoi që menjëherë t’i kthehet trupi i të ndjerit.

Nëna e tij, Lyudmila, u shpreh se para 4 ditësh, kur e pa për të fundit herë të birin, ai ishte i shëndetshëm dhe i buzëqeshur. “Nuk dua të dëgjoj asnjë ngushëllim”, u shpreh ajo për BBC, ndërkohë që një video nga dita e fundit e jetës së tij është shfaqur, ku ai duket se gëzon shëndet të mirë, madje bën edhe shaka.

Edhe avokati i tij, i cili e kishte takuar 2 ditë para vdekjes tha se “gjithçka ishte normale” në takimin e tij me klientin. Leonid Volkov, një mik i të ndjerit u shpreh se nuk ka asnjë arsye që të besojë në propagandën e shteti. “Navalny nuk ka vdekur; Navalny është vrarë nga Putin dhe kjo është e vetmja mënyrë se si duhet raportuar lajmi”, u shpreh ai.

Protestat kanë nisur të gëlojnë në Rusi.

Dyshohet se u eliminua nga Putin: Kush ishte Alexei Navalny, kritiku më i

Në nder të tij po kryhen edhe homazhe nëpër ambasadat ruse në Europë.

Dyshohet se u eliminua nga Putin: Kush ishte Alexei Navalny, kritiku më i

Videoja e tij ku shprehet se nëse vendosin ta vrasin, do të thotë se ai është i fortë është rikthyer në vëmendjen e njerëzve.

“Nëse vendosin të më vrasin, do të thotë se ne jemi jashtëzakonisht të fortë. Ne duhet ta përdorim këtë fuqi, të mos dorëzohemi, të kujtojmë se ne jemi një fuqi e madhe që po shtypet nga këta njerëz të këqij. Ne nuk e kuptojmë se sa të fortë jemi realisht. E vetmja gjë e nevojshme që kjo ligësi të triumfojë është që njerëzit e mirë të mos bëjnë asgjë. Pra, mos u bëni pasivë”, tha Navalny në fund të dokumentarit, me emrin e tij, që fitoi Çmimi Oscar.

Dyshohet se u eliminua nga Putin: Kush ishte Alexei Navalny, kritiku më i

Për vdekjen e çuditshme të Alexei, kanë reaguar krerë të ndryshëm shtetesh. Joe Biden, presidenti i SHBA, e ka akuzuar drejtpërdrejt Putin. “Nuk ka dyshim, Putin është përgjegjës për vdekjen e Navlany” dhe shtoi se kjo është një tjetër provë e brutalitetit të presidentit rus.

Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, tha se Navalny ishte njeriu që demaskoi rrënjët dhe dobësitë e regjimit të Putinit ndërsa theksoi se Rusia zyrtare është përgjegjëse për vdekjen e tij.

Edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ndan të njëjtin mendim. “Natyrisht që ai u vra nga Putin. Si mijëra të tjerë që janë torturuar. Kjo tregon se përse Vladimir Putin duhet të humbasë gjithçka dhe të mbajë përgjegjësi për veprimet e tij”, u shpreh ai.

Garry Kasparov, kampioni i shahut dhe kritik i Putin dhe Kremlinit, përmes postimeve në X u shpreh: “Putini është vrasësi i Navalny-t”, duke kritikuar edhe politikanët e Perëndimit: “(Kam) zemërim dhe përbuzje të përjetshme ndaj politikanëve perëndimorë që e trajtuan helmimin dhe burgosjen e Navalny-t si vetëm një pikë tjetër negocimi me Putinin”, duke iu referuar burgosjes së tij të përsëritur dhe helmimit të tij me Novichok.

Navalny është një tjetër emër që i shtohet listës së kundërshtarëve të Putin që vdesin në mënyrë misterioze.
 
Yevgeny Prigozhin, kreu i Wagner, i cili tentoi të kryente një grusht shteti në Rusi, si dhe ka qenë një ndër personat më të besuar të Putinit, ndërroi jetë pas një aksidenti me avion, në vitin 2023.

Edhe Alexander Litvinenko, ish-agjent rus dhe kritik i fortë i Kremlinit, u helmua në një hotel në Londër në vitin 2006.