Kinema & TV

BAFTA përballet me kritika për shkak të Matthew Perry, por pse?

Shkruar nga Anabel

19 Shkurt 2024

BAFTA përballet me kritika për shkak të Matthew Perry, por pse?
Getty

Aktori i njohur i “Friends” Matthew Perry u bë shkak që BAFTA të përballet me komente dhe kritika negative nga fansat, teksa në hapësirën dedikuar homazheve për personazhet e rëndësishëm të kinematografisë që kanë ndërruar jetë, mungoi pikërisht Perry.

Aktori ndërroi jetë në tetor të vitit që shkoi në moshën 54-vjeçare dhe përveç rolit të spikatur si Chandler në 10 sezonet e serialit të njohur, ka luajtur edhe në filmat: “17 Again” dhe “The Whole Nine Yards.”

Aq u desh që fansat të drejtoheshin në rrjetin social X për të shprehur indinjatën.

BAFTA përballet me kritika për shkak të Matthew Perry, por pse?
Getty

“Turp t’ju vijë çmimeve BAFTA që nuk e kujtuat Matthew Perry”, shkruan dikush. Ndërsa një tjetër shtoi: “Nuk përmendët Matthew Perry? Sa keq!”; “Jam këtu vetëm për të parë nëse isha unë i vetmi që u lëndua nga mungesa e Matthew në përkujtimoren e BAFTA2024. Më bëhet qejfi që nuk jam i vetmi”, shkruan një tjetër person.

Për të justifikuar mungesën e aktorit, BAFTA reagoi në “X” me deklaratën: “Matthew Perry do të mbahet mend në ceremoninë televizive të këtij viti”, dhe bashkangjitur bënë shpërndarjen e një shkrimi online për aktorin.

Perry, u gjet i vdekur në 28 tetor në shtëpinë e tij në Los Angeles dhe më vonë u zbulua se arsyeja e ngjarjes ishin efektet akute të ketaminës që merrte me recetë mjekësore.

Artikuj të sugjeruar: