Mendja

Si ta kuptoni se ndiheni të lodhur: Ja 6 mënyrat e pushimit

Shkruar nga Anabel

21 Shkurt 2024

Si ta kuptoni se ndiheni të lodhur: Ja 6 mënyrat e pushimit

Të gjithë kemi nga ato ditët tipike kur ndihemi fare pa fuqi, pa dëshirë për t’u angazhuar në aktivitete apo ngjarje dhe sigurisht që kjo nuk është një situatë e pranueshme nëse na ndodh vazhdimisht.

Ndoshta, pa e kuptuar trupi juaj po ju dërgon sinjale lodhjeje, por kjo e fundit nuk është vetëm fizikisht, por edhe nga ana mendore. Sforcimi që i bëjmë shpesh vetes falë punës, angazhimeve, projekteve, problemeve të ndryshme ku përfshihemi mund ta na çojnë drejt një gjendje pafuqie të plotë. Ekspertët thonë se këto janë shenja të lodhjes suaj fizike dhe mendore, ndaj duhet të bëni diçka. Për të “rikarikuar” me energji të reja bateritë e trupit dhe mendjes suaj, ju duhet të pushoni fizikisht dhe mendërisht.

Ja disa lloje pushimesh për të cilat të gjithë kanë nevojë, sidomos pas disa fazave të ngarkuara apo të sforcuara në jetën tuaj!

Pushimi fizik: Gjumi me cilësi të mirë është një pjesë e pushimit fizik, me fokus në cilësinë dhe jo sasinë e gjumit. Por gjithashtu, aktivitete të tilla si relaksimi i muskujve apo joga mund ta ndihmojnë trupin tuaj të rikuperohet nga lodhja fizike.

Pushimi mendor: Mesatarisht, një person ka afërsisht 60 mijë mendime në ditë. Truri ynë punon më shumë nga sa ne mendojmë, kështu që është një ide e mirë që t'i jepni pak “pushim” trurit. Praktikat e tilla si meditimi, ushtrimet e frymëmarrjes, shkëputjet e shkurtra nga puna gjatë ditës mund të ndihmojnë në reduktimin e lodhjes mendore, rritjen e fokusit dhe rritjen e kreativitetit.

Pushimi ndijor: Për disa persona, dritat e forta, ekranet dhe zhurmat e mjedisit mund t'i bëjnë ata të ndihen të mbingarkuar, kështu që është e rëndësishme të bëjnë pak pushim me shqisat e tyre. Largimi nga ekranet dhe pajisjet elektronike, mbyllja e syve, meditimi apo edhe një ecje në natyrë është një formë për të rivendosur një qetësi në shqisat  tuaja.

Pushimi social: Ky lloj pushimi ka të bëjë me angazhimin në lidhje sociale dhe mbështetëse. Kjo kërkon që ne të shqyrtojmë marrëdhëniet tona për të përcaktuar se cilët njerëz na japin energji dhe cilët mund të marrin energjinë tonë.

Pushimi krijues: Ne duhet të rinovojmë krijimtarinë tonë duke u angazhuar në botën e artit, natyrës dhe muzikës për të nxitur frymëzimin, për të ndezur ide të reja dhe për më shumë gëzim.

Pushimi shpirtëror: Ky lloj pushimi ka të bëjë me gjetjen e kuptimit dhe qëllimit përtej rutinave të përditshme, të cilat mund të arrihen përmes meditimit, kalimit të kohës në natyrë etj.

 

Artikuj të sugjeruar: