Mund të jesh çuditur nga lajmet që po qarkullojnë vërdallë se babai i Elias, Gjergj Zaharia, ka dhunuar ish-bashkëshortin e vajzës, princ Lekën, ndaj po të bëjmë një përmbledhje të ngjarjes, dëshmisë dhe divorcit të ish-çiftit.
Si ndodhi ngjarja?
Sipas burimeve për Top Channel, princ Leka ka shkuar të takojë të bijën dhe është përballur me Gjergj Zaharinë, ish-vjehrrin, i cili ishte duke u kujdesur për mbesën e tij, duke qenë se Elia nuk ndodhej në ato çaste në banesë. Pas një debati, princ Leka pretendon se është dhunuar nga Gjergji, ndërsa ky i fundit shprehet se është i moshuar dhe nuk ka fuqi të dhunojë njeri.
Ata janë paraqitur të dy në polici, për të bërë edhe një ekspertizë mjeko-ligjore. Ndërsa i janë drejtuar edhe gjykatës për të marrë urdhër mbrojtjeje. Më pas, edhe Elia ka denoncuar ish-të shoqin për dhunë.
Dëshmia e princit
Princ Leka shprehet se është fyer nga ish-vjehrri, i cili gjithashtu e ka goditur me send të fortë në prani të vajzës së mitur. Pretendohet se është bërë publike edhe dëshima e princit, ku tregon ngjarjen.
Sipas dëshmisë, ngjarja ka ndodhur në rrugën “Murat Toptani”, në rezidencën e familjes mbretërore, ku ai është paraqitur për të takuar Geraldinën, vajzën 3-vjeçare. “Fillimisht jam takuar me shefin e administratës së oborrit, të cilin e kam pyetur në lidhje me një dollap që ishte boshatisur në kundërshtim me marrëveshjen. Me pas, unë i kam kërkuar atij që të më shoqëronte deri tek vajza ime për ta takuar, për të cilën me një marrëveshje për zgjidhje martese kemi rënë dakord me ish-bashkëshorten”. Ai tergoi se kishte gjetur vajzën e vogël të shoqëruar nga gjyshi. Kur e ka përqafuar të bijën, Leka është përballur me fjalë fyese dhe kërcënuese nga Gjergji, i cili i kishte thënë se duhet të ndërronte rrugën kur ta shihte.
Leka shtoi se situata është bërë më e rëndë kur ai i tha Gjergjit se duhej të largohej nga dhoma ku ishte me të bijën dhe në këto momente, Gjergji iu afrua, e shtyu dhe e goditi me shkelma. “Reagimi im ka qenë mbrojtës, por Gjergji ka vazhduar duke më goditur dhe më ka grisur xhupin, si dhe ka marrë një send të fortë (statujë druri) me të cilin më ka goditur”, tha ai.
Lidhja e re e princ Lekës(?)
Elia dhe princ Leka janë në proces divorci. Thuhet se princi është në një lidhje të re me Blerta Celibashi, me profesion fotografe. Ata janë fotografuar shpesh nëpër aeroporte të ndryshme, por pas thashethemeve, Blerta bëri një prononcim për JOQ Albania dhe nuk i konfirmoi dhe as i mohoi zërat.
“Përshëndetje Joq, ju falënderoj për mesazhin/interesimin tuaj. Nuk dua të bëj koment në lidhje me këtë çështje. Kërkoj mirëkuptimin tuaj,” deklaroi ajo.
Konfirmimi i divorcit
Disa ditë më vonë, princ Leka, përmes një postimi në Instagram, bëri me dije se ai dhe Elia i kanë dhënë fund martesës.
“Përshëndetje miq dhe dashamirës! Me anë të këtij postimi ju komunikoj zyrtarisht se LTM Princ Leka dhe Elia Zaharia kanë rënë dakord që martesës se tyre t'i jepet fund. Duke qenë se martesa e ka humbur funksionin e saj, kanë parë të udhës ta zgjidhin atë me pëlqim reciprok duke filluar procedurat e nevojshme ligjore. Pavaresisht besimit tek instituti i familjes, LTM Princ Leka Il beson se vlerat e respektit dhe mirëkuptimit reciprok do të përbëjnë bazën e marrëdhenies në vijimësinë e saj, që do të ketë si motiv rritjen dhe edukimin e LSM Princeshës Geraldinë”, shkruhet në foton e parë të postimit.
Më tej, thuhet: “Mirëqenia shpirtërore dhe fizike e vajzës, LSM Princeshë Geraldinës, do mbetet në qendër të vëmendjes së tyre, të përkushtuar për të siguruar një jetë të lumtur dhe të sigurt për Geraldinën. LTM Princ Leka II nuk do të bëjë deklarata apo komente të mëtejshme dhe kërkon që të respektohet e drejta për privatesi lidhur me këtë çështje”.
Shënim: LTM - Lartësia e Tij Mbretërore; LSM - Lartësia e Saj Mbretërore
Reagimi i Elias
Më pas, edhe Elia bëri një reagim zyrtar po në Instagram, ku shkroi:
“Miq dhe dashamirës,
Më duhet tju komunikoj që sot filluam procedurat ligjore për zgjidhjen e martesës, pasi vendosëm bashkërisht të kërkojmë zyrtarizimin e divorcit! Ky nuk është aspak një realitet që më lumturon, pasi besoj në vlerat e familjes si gjënë më të shtrenjtë! Kurrsesi nuk do kisha zgjedhur për vajzën time të rritej me prindër të ndarë, por ndonjëherë ndarja qenka e vetmja rrugëzgjidhje! Ajo ç’ka ka më shumë rëndësi, është që vogëlushja ime ta përjetojë këtë moment sa më lehtë të jetë e mundur!” – shkruan ajo, duke vijuar: “Ju falenderoj shumë të gjithëve ju që më keni shkruar e më keni dhënë kurajo! Pavarësisht këtyre muajve të vështirë që kam kaluar, dashamirësia juaj më ka dhënë forcë! Ju uroj shëndet e lumturi në familjet tuaja!”.
Princi Leka u njoh me Elian në vitin 2008. Ata u fejuan në Paris në vitin 2010 dhe u martuan në Tiranë, në Pallatin Mbretëror, më 8 tetor 2016. Ata u bënë prindër të vogëlushes Geraldinë më 22 tetor 2020.