Celebrity

Drew Barrymore thotë se Jennifer Lopez e çliroi nga “turpi i divorceve”

Shkruar nga Anabel

22 Mars 2024

Drew Barrymore thotë se Jennifer Lopez e çliroi nga “turpi i
FOTO: TAYLOR HILL/WIREIMAGE

Ky është momenti për të ridimensionuar konceptin tuaj rreth divorcit, të paktën sipas Drew Berrymore. Përmes talk show-t që ajo moderon, dje aktorja e njohur foli hapur për tre divorcet e saj duke thënë se tashmë nuk ka më turp nga ndarja dhe se nuk ka ndërmend të shpenzojë asnjë minutë kot nga koha e saj e çmuar me persona që e bëjnë të ndihet jo mirë.

Kujtojmë se Drew ka qenë e martuar tre herë: me Jeremy Thomas nga viti 1994 deri në 1995, më pas me Tom Green martesë që zgjati nga viti 2001 deri në 2002 dhe me Will Kopelman nga viti 2012 deri në 2016-ën. Barrymore dhe Kopelman kanë dhe dy vajza, Olive dhe Frankie.

“Kisha kaq shumë turp për divorcet dhe për shumë arsye në kokën time thashë, ‘Nuk jam më e gatshme të ndihem kështu’”, shpjegoi Barrymore gjatë një momenti në “The Drew Barrymore Show”.

Ajo shtoi se mendësia e re e lejonte të ndihej e "çliruar" dhe të fokusohej në cilësinë e jetës së saj, diçka që mund ta përjetojë çdokush.

"Kur jeni vërtet në një situatë që nuk po funksionon ashtu siç duhet, ju duhet të hiqni dorë dhe të ktheni sytë nga vetja, të përmirësoni jetën dhe të ecni përpara. Divorcin tashmë nuk e shoh më si turp, pasi ndihem plotësisht e çliruar,” shtoi aktorja.

Tema e divorcit u hap ndërsa Barrymore po diskutonte videoklipin e Jennifer Lopez me titull "Can't get enough", i cili tregon këngëtaren si nuse duke kaluar nëpër dasma të shumta. Ashtu si Barrymore, Lopez ka bërë bujë për divorcet e saj, nga partnerët Ojani Noa, Cris Judd dhe Marc Anthony.

Drew Barrymore thotë se Jennifer Lopez e çliroi nga “turpi i
FOTO: AYMOND HALL/GC IMAGES

"Jennifer të dua! Unë e vlerësoj vërtet faktin që ti sjell kaq shumë fuqi te gratë që kanë akoma turp nga ndarja," tha Barrymore. "Ne të gjithë kemi kaluar nëpër faza të tilla në jetë, kështu që është krejt normale ta kapërceni edhe ju," përfundoi aktorja.

Artikuj të sugjeruar: 

 

Burimi: Instyle