Mbrëmë, kur Meritoni u shpreh se djali i tij 5-vjeçar ka autizëm, Romeo tha se edhe Lionel Messi është autik, por sa e vërtetë është kjo?
Fillimisht, duhet të themi se për futbollistin argjentinas ka pasur shumë teori dhe meme online se ai është autik. Romeo, si shumë të tjerë, mund të ketë rënë pre e meme-ve dhe videove që qarkullojnë vërdallë, të cilat kapin momente të ndryshme të Messi-t në fushë ose jo dhe e cilësojnë si një person autikë.
Në vitin 2013, në një video të publikuar në kanalin e YouTube, “Soccer Stories Oh My Goal”, ish-futbollisti brazilian, Romário de Souza Faria, i njohur ndryshe si Romário, tha se Messi ka sindromën Asperger (një formë e spektrit të autizmit, e cila lidhet me zhvillimin e një individi). Në video, Romário u shpreh se autori dhe gazetari brazilian, Roberto Amado, ka thënë se Messi është diagnostikuar me sindromën Asperger kur ishte 8 vjeç. Sigurisht, për të mbështetur argumentet e tij, Romário nënvizon disa “karakteristika”, të cilat më parë janë “identifikuar” edhe nga autori Amado, i cili e ka hedhur këtë pretendim pa baza konkrete dhe bazuar në ndonjë thashethem.
@certifieddarwizzler ??? #fyp #messi #darwinnuñez #darwizzy #certifieddarwizzler ? original sound - darwizzler
Sipas Amado-s dhe Romário-s, Messi ka shenja të autizmit, pasi është jashtëzakonisht i turpshëm, madje ka edhe nofkën “el pequeno mudito” (“memeci i vogël”), sepse qysh prej fëmijërisë, shumë rrallë ka folur me bashkëmoshatarët dhe më pas, edhe me shokët e skuadrës.
Gjithashtu, Romário u shpreh se stili i tij në fushë, përqendrimi ekstrem dhe superior, si dhe sjellja e pazakontë në disa raste “vërtetojnë” diagnozën në fjalë.
Vështirësitë e vazhdueshme apo ndryshimet në komunikime dhe ndërveprime sociale janë sjellje dhe karakteristika të njohura të njerëzve autikë, por kjo nuk do të thotë se çdo person i turpshëm dhe i ndrojtur është autik. Ka disa dallime delikate, të cilat vërehen që në fëmijërinë e njerëzve autikë, të cilat jo gjithnjë janë të njëjta me sjelljet e një personi introvert apo të turpshëm.
Hulumtimet tregojnë gjithashtu se personat autikë kanë një aftësi shtesë për t’u përqendruar në detyra dhe pasione të caktuara, megjithatë, kjo nuk është një hipotezë që duhet të merret për bazë në rastin e Messi-t, pasi shumë futbollistë bëjnë të njëjtën gjë.
Pavarësisht gjithë lajmeve dhe teorive të pakonfirmuara, vetë familjarët e Messi-t janë shprehur se të gjitha këto janë informacione të rreme dhe nuk ka pasur asnjë provë apo diagnozë të tillë, të paraqitur. Ndryshe nga zërat, Messi dhe familja e tij nuk kanë bërë kurrë ndonjë “zbulim” apo kanë diskutuar për një diagnozë të tillë.
Deri më sot, e vetmja diagnozë formale që Messi ka marrë nga njohuritë e publikut është ajo e pamjaftueshmërisë së hormonit të rritjes (GHD), duke marrë kështu edhe nofkën “pleshti” në fushë. Kjo gjendje shkaktohet nga sasia e pamjaftueshme e hormonit të rritjes në trup gjatë fëmijërisë, çka e bënte të merrte injeksione hormonale.
Dr. Diego Schwarzstein, ishte ai që e trajtoi Messi-n për GHD në Argjentinë dhe i hodhi poshtë zërat për një diagnostikim të tillë.
“Leo nuk ëshë diagnostikuar kurrë me Asperger, ose me ndonjë formë tjetër të autizmit. Këto janë gjepura”, u shpreh ai.
Megjithatë, autizmi është mjaft i përhapur në mesin e të famshmëve dhe yje të ndryshme e kanë pranuar se janë diagnostikuar autikë.
Disa V.I.P.-a autikë: Anthony Hopkins, David Byrne, Sia, Breanna Clark, Satoshi Tajiri , Andy Kaufman, Andy Kaufman, Andy Warhol etj.