Shëndeti

Nisur nga Kate Middleton: Si t’u flasësh fëmijëve për kancerin?

Shkruar nga Anabel

25 Mars 2024

Nisur nga Kate Middleton: Si t’u flasësh fëmijëve për

Lajmi se princesha e Uellsit, Kate Middleton, është diagnostikuar me kancer në moshën 42-vjeçare ishte tronditës për të gjithë botën, por imagjino sa shokues duhet të jetë për familjen dhe tre fëmijët e saj të vegjël. Kate u shpreh se ua ka shpjeguar George, 10 vjeç, Louis, 5 vjeç dhe Charlotte, 8 vjeç në një “mënyrë që është e përshtatshme për ta dhe për t’i siguruar që gjërat do të shkojnë mirë”.

Nisur nga kjo, ekspertët kanë dhënë mendimet e tyre se si mund t’u thuash fëmijëve se ti ose një person i familjes je/është prekur nga kanceri. Kathleen Ingman, psikologia e fëmijëve në spitalin e fëmijëve në Los Angeles, ka dhënë disa këshilla.

“Të mos i mbash të informuar, edhe pse mund të jenë të vegjël në moshë, mund të ndikojë në situata stresuese dhe u krijon fëmijëve idenë se po ndodh diçka e keqe, por kjo po mbahet sekret prej tyre”, u shpreh Ingman.

Edhe Lauren Shneider, drejtore e një programi për dhimbjen e humbjes së të dashurve në qendrën “Our House” tregoi se është e rëndësishme që t’u flasësh fëmijëve për tema të tilla serioze, për të marrë mirëkuptimin e tyre, si dhe për t’u dhënë atyre shpresë. Të dyja specialistet i inkurajojnë njerëzit që t’u thonë fëmijëve për ndryshimet që do të ndodhin në shtëpi, me pamjen e njerëzve dhe me mjekimet e tyre.

“Mungesa e informacionit i bën fëmijët të kenë frikë dhe në imagjinatën e tyre, mund të shkojnë në vende dhe mendime, të cilat mund të jenë shumë më negative se sa situata reale”.

Si ta nisësh bisedën me fëmijët?

Fillimisht, duhet të kesh parasysh se të flasësh për një sëmundje serioze me fëmijët është një përvojë unike dhe varet nga mosha, ndjeshmëria, gjendja e personit të sëmurë dhe karakterit të fëmijës.

Nise bisedën me një moment ku fëmija ka qenë prezent. “A e mban mend kur ndodhi (x situatë)?”/ “Të mbahet mend kur unë nuk po ndihesha mirë?”. Fëmija, sigurisht që e mban mend dhe mund të ndihet i lumtur që po përfshihet në një bisedë ku po sqarohet një moment i vështirë për të. Kjo, do t’i japë më shumë qetësi që gjërat nuk ndodhin për fajin e fëmijës.

“Fëmijët e vegjël janë shumë egocentrikë. Ata shpesh përjetojnë emocione të shumta dhe mendojnë se gjithçka përreth ka lidhje me ta”, thotë Ingman.

Prindërit duhet ta kuptojnë se biseda me fëmijën mund të ketë pak konfuzion dhe lot në momentin e parë, por fëmija do t’iu bëjë me dije prindërve se kur është gati për të marrë më shumë informacion.

Ekspertët thonë se fëmijët mund të pyesin në mënyrë spontane në atë moment ose më vonë gjatë ditëve dhe kjo do të thotë se janë gati për më tepër detaje. Fëmijët e vegjël kanë tendencën ta bëjnë të njëjtën pyetje disa herë dhe përmes kësaj, u kërkojnë të rriturve që duan ta kuptojnë më mirë situatën dhe është fiks momenti kur prindërit mund të tregojnë më tepër.

“Kjo i siguron fëmijët se prindërit po u thonë të vërtetën dhe në fakt, janë persona të cilët i mbështesin”, shprehet Ingman, duke shtuar se kur të rriturit i informojnë fëmijët, e bëjnë edhe më të fortë marrëdhënien.

Nëse një fëmijë nuk bën pyetje, është e këshillueshme që prindërit ose kujdestari të sjellë një tjetër të rritur tek i cili fëmija ka besim dhe mund të flasë mbi situatën që po e mundon.

Gjatë bisedës është e rekomandueshme që të jesh i/e hapur, t’i tregosh fëmijës se ç’po ndodh në të vërtetë dhe si do të ndikojë e gjitha kjo në anëtarët e familjes. Një pjesë e sinqertitetit mund të lidhet edhe me kimioterapinë dhe trajtimet të cilat ti/personi tjetër po bën. Ingman thotë se termat “kancer”, “sëmundje” dhe “kimioterapi” janë të frikshëm për të rriturit, por fëmijët ende nuk e kuptojnë seriozitetin e tyre.

Shmang fjali të tipit: “Mami/babi është sëmurë”, pasi e konfuzon fëmijën dhe e bën të mendojë se ndoshta nuk do të ketë një fund të lumtur. Nëse fëmija ka pasur kontakt me humbjen e një familjari për shkak të kancerit, kjo do ta shtojë ankthin e tij dhe do ta bëjë të mendojë se të jesh i sëmurë do të thotë të ndërrosh jetë. Fjalinë: “Mami/babi është sëmurë” mund ta trajtosh me një qasje më pozitive, duke i thënë se po merr trajtim për t’u kuruar. Në rastet kur fëmija e kupton sëmundjen dhe është më i rritur në moshë, duhet t’i shpjegosh se çdo tipologji kanceri është e ndryshme dhe kurimi varet nga shumë faktorë.

Kushtoji vëmendje ndjesive dhe reagimeve të fëmijës. Biseda mund të shoqërohet me lot e ngashërima ose me një mpirje emocionale. Nuk ka një formulë të saktë se si një fëmijë do të reagojë. Lëri hapësirë fëmijëve të bëjnë pyetje dhe tregoji se realiteti i ri mund t’i ndryshojë rutinën.

Nëse një tjetër familjar do ta marrë nga shkolla, do të shpenzojë më shumë kohë me të, apo në rast se do t’i duhet të të shohë në spital, bëja të qartë, që të mos surprizohet negativisht më vonë.

Përfshije fëmijën në situata dhe biseda që janë të përshtatshme për moshën, pasi edhe mund të të japë një dorë, përqafim dhe dashuri. Jepi fëmijës detyra të vogla, si të shkruajë në një bllok një mesazh që mund t’ia përcjellë një familjari, të të sjellë ujë, diçka për të ngrënë etj, pasi e ndihmon të ndihet më i dobishëm në këtë rrugëtim.

Artikuj të sugjeruar: