Qysh prej momentit kur Meritoni u shpreh publikisht se i biri është autik, dhjetëra portale bënë punën e tyre duke raportuar lajmin, por fatkeqësisht, kemi vërejtur se janë shprehur gabim në shumë raste, duke theksuar në tituj se i biri i Meritonit “vuan nga autizmi”, ndaj besojmë se duhet sqaruar se autizmi është pjesë e jetës së njerëzve autikë dhe në fakt, nuk vuajnë prej tij, por thjesht e kanë.
Njerëzit në bisedimin e përditshëm mund të përdorin termin “vuan nga autizmi”, edhe pse në fakt, këta persona quhen thjesht “autikë”, pa fjalë që tregojnë vuajtje dhe stërmundime. Pra, të gjithë e dimë se fjalët kanë rëndësi, sidomos kur u drejtohemi njerëzve që kanë spektrin e autizmit, pasi kështu ata kuptojnë se si i shohim dhe ç’mendojmë për ta.
Pse nuk duhet të themi “vuan nga autizmi”?
E para, sepse nuk është vuajtje, por mënyrë jetese. Autizmi është pjese e jetës së këtyre njerëzve, të cilët, edhe pse mund ta kenë, sërish mund të funksionojnë më së miri në shoqëri.
E dyta, sepse nuk mund të vendosim “sëmundjen” para njeriut. Për shembull, askush nuk prezanton dikë dhe thotë: “Hej, ky është vëlla im, i cili vuan nga diabeti”, ose “Kjo është nëna ime që vuan nga zemra”. Njerëzit autikë e jetojnë jetën si ne, me dëshirat dhe stilin e jetesës së tyre.
Pra, kur themi se një person “vuan nga autizmi” në një biseë, e trajtojmë atë si të jetë i sëmurë me një sëmundje kronike, duke nënkuptuar se i duhet një “kurë” që të shërohet, kur në fakt, nuk ka nevojë për një kurë specifike. Njerëzit autikë kanë mënyrat e veta unike se si e shohin dhe e eksplorojnë botëm.
Si duhet t’u drejtohemi njerëzve autikë?
Siç u jemi drejtuar disa herë gjatë këtij artikulli: njerëz autikë! Në një artikull të publikuar në Autism Self-Advocacy Network (ASAN), autori i artikullit sqaroi: “Unë nuk jam një njeri me autizëm; unë jam autik”, duke shpjeguar më tej:
“Kur ne themi një “person me autizëm”, ne e themi atë si fatkeqësi ose sikur ka ndodhur një aksident dhe e ka bërë këtë person autik. Në fakt, ne nënkutojmë se autizmi është i dëmshëm për vlerën dhe dobinë e këtij personi, ndaj e ndajmë gjendjen e tij me fjalën “me” ose “vuan”. Në fund të fundit, do të ishte mirë që t’i referohemi thjesht si një “person autik”, pasi kështu e njohim, pohojmë dhe vërtetojmë identitetin e një personi autik. Ne e pranojmë se është një person i ndryshëm nga njerëzit joautikë dhe kjo nuk është një tragjedi dhe nuk nënkuptojmë se kemi frikë apo turp ta njohim këtë ndryshim.
Në këtë pikë, debati sërish qëndron në pjesën “vuan nga autizmi”.
Për shprehjen “person me autizëm” apo “person autik”, është më mirë që të zgjedhë vetë personi autik, se si do të quhet dhe t’i referohemi. Ekspertët dhe organizatat nuk zgjedhin një anë të caktuar në këtë rast dhe i përdorin të dy togfjalëshat: “person me autizëm” dhe “person autik”.
Problemi mbetet te shprehja “vuan nga autizmi”.
Ditë më parë, një video e një djali autik, i cili korrigjonte të ëmën që tha se “djali im vuan nga autizmi” u bë mjaft virale, pasi vogëlushi specifikoi që nuk vuan nga autizmi, thjesht e ka atë. Njerëzit nëpër komente u shprehën se kjo është një mënyrë shumë e mirë se si ai e sheh veten dhe ndërton konceptin e të tjerëve për të dhe autizmin.
@drgeorgesachs Level one Autism, #formally high functioning, autism, is not a disorder, but a difference. You don’t suffer from a difference. #autism #neurodivergent #actuallyautistic #neurodivergenttiktok #autismacceptance @Inflow: ADHD app ? original sound - Dr George Sachs ADHD??ASD
Si përfundim, para se t'i drejtoheni një personi autik, këshillohet që ta pyesni personin autik nëse e ka siklet t’i drejtohesh si “person me autizëm” dhe të shmangni kategorikisht fjali që shprehin keqardhje dhe vuajtje për autizmin.