Muzika

Beyoncé ndryshoi tekstin e “Jolene” dhe interneti u nda në dy grupe

Shkruar nga Anabel

30 Mars 2024

Beyoncé ndryshoi tekstin e “Jolene” dhe interneti u nda

Beyoncé na bekoi me albumin e saj të ri, “Cowboy Carter” dhe mes 27 këngëve, ajo risolli edhe versionin e “Jolene”, këngën e famshme të Dolly Parton. Por, sigurisht që Bey do të vinte damkën e saj, ndaj versioni i “Jolene” sipas Beyoncé nuk është më një grua që praktikisht i lutej Jolene të mos i merrte burrin që dashuronte, por një grua që e paralajmëron që të mos i afrohet bashkëshortit të saj.

Kënga e Bey nis me notat origjinale të këngës së vitit 1973, më pas, ajo bën një “thyerje” për ta modernizuar “Jolene” e vitit 2024, duke e përshtatur me një tjetër histori: “Po të paralajmëroj, mos hajde për burrin tim”, thotë Bey, duke i dërguar një mesazh të qartë dashnores së burrit.
 
“Të duhet më shumë se bukuria për të marrë mundimin që të hysh mes një familjeje dhe një burri të lumtur/ Jolene, edhe unë jam një grua/ Lojërat që ti luan s’janë aspak të reja/ Ndaj nuk do një problem me mua, Jolene”, këndon ajo më pas.

Shumë personazhe të famshëm e kanë mirëpritur versionin e saj, duke nisur që nga vetë Dolly, e cila thotë: “Uau, sapo dëgjove “Jolene". Beyoncé po i jep ca telashe asaj vajzës dhe ajo i meriton. Më pëlqen shumë ndryshimi i tekstit. I jep një jetë të re. Gjërat nuk kanë pse të bëhen në të njëjtën mënyrë. Do të ishte e mërzitshme”. Edhe Miley Cyrus u shpreh se kurrë nuk do ta priste që Jolene të vinte në këtë version dhe se ky version i Bey është fantastik.

Në vitin 2020, në një intervistë për “Big Issue”, Dolly u shpreh se gjithnjë ka shpresuar që Bey të bënte një version të kësaj kënge.
 
Por, interneti është ndarë në dy pjesë.
 
Disa e pëlqejnë shumë versionin e ri dhe nuk ndalen së e dëgjuari.
 
“E adhuroj!”; “Ja pse është mbretëreshë Beyoncé”; “Ok, është versioni më i mirë që kam dëgjuar”, ishin disa prej komenteve të njerëzve në TikTok.
 
Të tjerë mendojnë se është e tepërt dhe se Beyoncé, një grua, po përpiqet që t’i tregojë një gruaje tjetër që është më e fortë, seksi dhe me vetëbesim. Disa e kanë cilësuar edhe si një këngë “seksiste” që diferencon gratë nga njëra-tjetra.

“Ajo po e bën të duket si një këngë adoleshenteje të papjekur”, thotë dikush; “Pse e ka ndryshuar tekstin? Ajo këngë është ikonike!”; “Por i gjithë mesazhi i këngës së mëparshme është të transmetojë emocionet e pastra dhe të tregojë sa e bukur dhe e parezistueshme është Jolene”; “Ky version, për 5 vjet as nuk do mbahet mend. Sidomos sepse ka ndryshuar fjalët dhe ka sjellë një qasje seksiste”, komentoi një tjetër person.

Artikuj të sugjeruar: