Celebrity

William Levy dhe Elizabeth Gutiérrez i japin fund martesës

Shkruar nga Anabel

12 Prill 2024

William Levy dhe Elizabeth Gutiérrez i japin fund martesës
Getty

Elizabeth Gutiérrez ka konfirmuar ndarjen nga William Levy në intervistën ekskluzive për “Hola!”, ku ajo zuri kopertinën e muajit. Me sinqeritet aktorja ka pranuar se prej dy muajsh ajo dhe Levy nuk janë më bashkë.

“Aktualisht nuk jemi bashkë. Nga ana ime di të them se nuk ka qenë kurrë arsye mungesa e dashurisë, por mendoj se nuk jam e njëjta vajzë që isha 20 vite më parë, kur ai më takoi. Ajo që duam në këtë moment është e ndryshme. Do e dua gjithmonë, do ia uroj gjithmonë më të mirat dhe siç e kam thënë, nuk ka rëndësi nëse jam apo jo me të, përherë do dua ta shoh të lumtur”, deklaroi Elizabeth Gutiérrez. Aktorja lë të kuptohet se nga ana e saj, ky vendim është përfundimtar.

Pas kësaj interviste, ka reaguar në mënyrë indirekte edhe William Levy me anë të një postimi në Instagram ku shfaqet vetëm dhe shkruan: “Është çështje kohe”. Nuk u kuptua qartë çfarë ka dashur të thotë aktori me këtë fjali, por fansat mendojnë se po përgatitet për të dhënë versionin e tij të historisë.

William Levy dhe Elizabeth Gutiérrez i japin fund martesës
hola

Kujtojmë se çifti ishin bashkë prej 20 vitesh dhe kanë dy fëmijë, djalin 18-vjeçar Christopher dhe vajzën 14-vjecare Kailey. Sipas aktores fëmijët janë tashmë të rritur dhe ky vendim nuk i ka vënë në vështirësi, pasi William është një baba i mrekullueshëm.

Levy dhe Gutiérrez kanë qenë në qendër të mediave rozë disa herë për ndarje. Lajmet janë hedhur poshtë deri në këtë moment. Për ta ka pasur edhe skandale tradhtie dhe detaje të tilla që nuk janë konfirmuar kurrë. Sipas mediave, kohët e fundit ka pasur edhe raportime në polici nga shtëpia e çiftit në Miami për abuzim fizik, por nuk dihet ende qartë se si janë zhvilluar ngjarjet.