Kjo është historia e një djaloshi që nuk mund të dashuronte dhe e një vajze që nuk donte të binte në dashuri.
Informacion i përgjithshëm rreth librit
Xhini Mërfi ndihet mjaft mirë mes djemve. Miqësia me ta gjithnjë i është dukur e thjeshtë, pa koklavitje, pa drama, të paktën për sa kohë askush nuk bie në dashuri me atë apo ajo vetë me ndonjërin prej tyre. Të gjithë janë pajtuar me këtë gjendje. Por një ditë, njihet me Adrian Silvasin, i vetmi që e nxit të dëshirojë shumë më tepër se thjesht miqësi. Prej atij çasti, Xhini fillon të vërë në pikëpyetje rregullat e veta.
Pak nga pak, Xhini dhe Adriani zënë e bien në një lidhje toksike dhe tepër të rrezikshme. Adriani, i cili ka parë shpirtcopëtimin e së ëmës, mendon se Xhini përbën një lloj kërcënimi për atë çka besuar deri më tani: që për dashurinë nuk ia vlen të rrezikosh asfare. Ndërsa për Xhinin, rreziku është dhe më i lartë. Po ta lërë Adrianin të bëhet pjesë e jetës së saj, ai mund të zbulojë një të fshehtë që ajo e mbron me thonj, për të cilën ndihet edhe në faj.
Xhini nuk po kërkon shpëtim nga ndokush. Por ndoshta, ajo dhe Adriani mund ta ndihmojnë njëri-tjetrin, gjithnjë nëse më parë nuk e shkatërrojnë.
“Mes djemsh”, një libër mallëngjyes dhe rrëmbyes, është një histori e fuqishme për dashurinë e vërtetë, dashurinë për veten, si dhe vështirësitë e rritjes.
Mbi autoren
Emma Noyes, që kur ishte gjashtë vjeçe, i tregoi së ëmës se donte të bëhej shkrimtare. Ajo u rrit në periferi të Çikagos dhe ndoqi Universitetin e Harvardit, ku studioi për histori dhe letërsi. E nisi karrierën në një kompani birre, por u largua sepse donte të shkruante për sirena dhe shtriga dhe përfundoi duke botuar serinë e saj të parë të librave fantazi për të rinj, “Qyteti i fundosur”. Tani jeton në Çikago me të dashurin e saj suedez dhe një qen të vogël pomeranez. “Mes djemsh” është debutimi i saj për të rritur.
Si është shprehur kritika?
“Debutimi i jashtëzakonshëm i Emma Noyes është i vërtetë dhe shumë emocionues, madje do t’ju shoqërojë gjatë pasi të ktheni dhe faqen e fundit. Kjo histori dashurie duhet lexuar patjetër”.
New York Times
“Noyes arrin të hedhë në letër gëzimin dhe trazimin e fazave të rritjes. Është një refren ku shkrihen në një padurimi dhe shpresa”.
Publishers Weekly
“Noyes arrin të japë momente të dramës emocionuese në këtë histori dashurie të këtyre të rinjve 25-vjeçarë”.
Booklist
“Mes djemsh” është një roman shpirtcopëtues dhe romantik, i shkruar bukur dhe me shumë origjinalitet, që na tregon rrugëtimin njerëzor përmes traumës, njohjes dhe dashurisë për veten”.
Samantha Young, New York Times & USA Today, autore bestseller
“Emma Noyes më bëri krejtësisht për vete me debutimin e saj spektakolar. “Mes djemsh” është një vështrim i sinqertë e pa dorashka në jetën e njëzetecavjeçarëve, që përpiqen të gjejnë dashurinë dhe veten. Noyes shkruan me mjeshtëri, kujdes dhe sinqeritet për tema tepër të vështira, duke arritur kulmin në një vepër fiksioni të shkëlqyeshme për të cilën nuk mund të ndaloj së menduari. Edhe pasi mbarova faqen e fundit, ishte e pamundur ta harroja këtë libër.
Falon Ballard, autori i "Just My Type"
Fragmente nga libri
1) Krijesa brenda meje përbëhet nga çdo pasiguri, çdo grimë vetëvlerësimi të ulët, çdo keqbërje, çdo gabim, çdo mashkull me të cilin kam fjetur, por nuk më ka dashur kurrë. Çdo arsye për të urryer vetë trupin në të cilin jetoj. Kërkon vazhdimisht aprovim dhe i druhet dështimit. Ajo dikton çdo vendim timin, nga momenti kur hap sytë në mëngjes, deri në fetën e fundit të bukës që ha gjatë ditës.
2) A mundet njeriu të mashtrojë veten e ta bëjë të mendojë se është i dashuruar dhe nëse po, si mund ta kuptoj unë kur ndjesia është e vërtetë. Ndoshta nuk do të mundem kurrë ta kuptoj kur është e vërtetë. Ndoshta ky është qëllimi. Ndoshta, kur të ndodhë, do të më duhet thjesht të hidhem verbërisht drejt ndjesisë dhe të lutem që emocionet nuk po përpiqen të më mashtrojnë.
3) ...jam aq e etur për dashuri, sa më duket sikur një boshllëk po ma çan kraharorin më dysh; nisi sa një vrimë gjilpëre dhe po zgjerohet gjithmonë e më shumë duke më zbrazur, duke e bërë të prekshëm boshllëkun që ndiej.
4) Përpiqem të arsyetoj që duhet të ha normalisht, por është e pamundur. Ankthi tashmë ka arritur të identifikojë çdo kurth të mundshëm: shumë pak ushqim, tepër ushqim, jo mjaftueshëm. Në çdo vakt, truri im shkon nga një opsion në tjetrin midis këtyre alternativave, duke më shtyrë drejt asaj qosheje të mendjes, që tashmë e njoh shumë mirë.
5) Ai thotë se u përpoq. Sipas saj, ai as që mori mundimin të bënte diçka. Thotë se zemrën e ka plot e për plot. Kurse ai pretendon se s'mund të japë më tepër se kaq. Se është i pandreqshëm. Ajo nuk e flak dot tutje dashurinë që ndien. Sa do të donin që ta hidhnin pas krahëve dashurinë, që të dy!
Detaje mbi librin:
Titulli: "Mes djemsh"
Autore: Emma Noyes
Përkthyes: Edlir Velaj
Zhanri: Romancë
Data e botimit: prill, 2024
Numri i faqeve: 346
C?mimi: 1200 lekë