
Fituesja e Oscar-it ka folur pa doreza për një nga episodet ndoshta më të vështira në karrierën e saj si aktore. Anne Hathaway kujton se përpara shumë viteve i është dashur të puthej me 10 burra të ndryshëm për të fituar një rol në film.
"Kjo ndodhi me mua në vitin 2000 dhe asokohe ishte normale që të kërkohej puthja në buzë me persona të tjerë për të testuar kiminë,” tha aktorja për “V Magazine”.
Një “test kimie” është praktikë e zakonshme për dy persona që dilnin para kamerës dhe provonin një puthje në buzë gjatë raundeve të audicioneve. Por, për Anne ky test në fakt është mënyra më e keqe për ta provuar.
“Më thanë: "Kemi 10 djem që vijnë sot dhe ju jeni në kast. A nuk je e emocionuar që do t’i puthësh të gjithë?” Dhe mendova: “A ka diçka që nuk shkon me mua?”, sepse nuk isha e emocionuar. Më dukej e neveritshme,” vijon aktorja.
Ajo ishte e vetëdijshme se nëse nuk e pranonte këtë sprovë do të humbiste gjithçka. “Kështu që u shtira sikur isha e emocionuar dhe vazhdova,” thekson Hathaway.
Ylli i "Idea of You" theksoi se ky nuk ishte një rast i mirëfilltë shfrytëzimi, por një normë për standardin e Hollywood-it në ato vite. Një normë që duhej sfiduar. “Nuk ishte një lojë pushteti. Askush nuk po përpiqej të më lëndonte. Thjesht ishte një kohë shumë ndryshe dhe unë e di mirë këtë gjë,” thekson aktorja e njohur.
Anne nuk e përmend titullin e filmit apo emrat e personave që i është dashur të puthë për këtë rol, por e pranon që ka qenë një veprim sfidues për veten e saj, por jo për standardet e botës së kinematografisë asokohe.
Artikuj të sugjeruar:
Burimi: Glamour