Kiara dhe Luizi u bënë prindër të një vajze, të cilën e quajtën Luna Mari Ejlli. Vajza lindi më 30 prill 2024 dhe moderatorja e këngëtari nuk mund të ishin më të lumtur. Përmes një videoje, Luizi ka ndarë emocionet e para të një babai të ri, duke e cilësuar lindjen e vajzës si lumturinë më të madhe.
“Më keni bërë njeriun më të lumtur në botë! Kam menduar se lumturia ka qenë kur më ka thënë Kiara “po”, por më vjen keq t’i them Kiarës se lumturia më e madhe qenka kjo tjetra. Është fakt. Keni për ta kuptuar kur ta provoni dhe ata që e kanë provuar e dinë. Zoti ju bekoftë!”, tha Luizi, duke paralajmëruar se në ditën e sotme (1 maj 2024) do të realizojë një video me Kiarën.
Moderatorja ka publikuar edhe foton e parë të Luizit duke mbajtur në krahë të bijën.
Nuk besojmë se e keni harruar, por po ju bëjmë një rifreskim të shkurtër: Luizi dhe Kiara u njohën në edicionin e dytë të “BBVA”, ku u dashuruan, u martuan dhe më pas, përmes këngës “Frymë”, na treguan se ishin në pritje të një bebushi. Kiara, shpeshherë, ka folur për ndjesitë e saj të mëmësisë dhe është shprehur goxha entuziaste për këtë etapë të re në jetën e çiftit.