
Në trailer-in e ri të sezonit të pestë të “The Kardashians”, Kris Jenner ka zbuluar se pas një vizite me mjekët, është diagnostikuar me një kist, si një tumor i vogël. Në video shihet Kris duke biseduar me vajzat e saj, Khloé, Kendall dhe Kylie, si dhe të dashurin, Corey Gamble, ku u jep edhe lajmin shokues.
“Bëra skanerin. Ata gjetën një kist, si një tumor i vogël”, tha 68-vjeçarja e përlotur.
Vajzat u tronditën dhe Khloé, 39 vjeç, e përqafoi të ëmën. Edhe Kendall dhe Kylie shprehën keqardhje dhe shpërthyen në lot. Për këtë deklaratë nuk ka të tjera detaje dhe nuk thuhet nëse tumori është beninj apo malinj.
Në familjen Kardashian, tumori është një temë e përmendur disa herë, pasi edhe Khloé ka vuajtur nga tumori në lëkurë. Në trailer tregohen edhe ndërlikimet që pati Kourtney gjatë shtatzënisë, kur u detyrua të bënte një operacion urgjent për t'i shpëtuar jetën të birit.