
Sipas një studimi të ri, 2 në 3 nëna dhe baballarë thuhet se ndihen të izoluar dhe vetëm prej kërkesave të prindërimit.
62% e tyre thonë se ndihen mendërisht të bllokuar prej përgjegjësive si prindër. Dhe më shumë se 1/3 e tyre thonë se nuk kanë ndihmë në rolin e tyre si prindër. Dhe së fundmi 8 nga 10 prindër deklarojnë se do e vlerësonin shumë nëse do flisnin dhe njiheshin me prindër të tjerë jashtë punës apo shtëpisë.
Të dhënat e studimit u publikuan në New York Post dhe u realizuan nga Universiteti i Ohaio-s.
Prej kohës kur ra pandemia dhe shumica e njerëzve iu dedikuan punës në shtëpi, ka pasur një rritje të ndjeshme të prindërve që ndihen të rënduar nga përgjegjësitë e tyre.
Profesoresha Kate Gawlik, një nga studiueset e këtij kërkimi, ka deklaruar se shumica e prindërve kanë nevojë të kuptojnë se nuk janë vetëm.
“Ka një presion të madh nga shoqëria, por jo vetëm për sa i përket të qenurit një prind i mirë. Kjo e bën më të vështirë punën e çdo prindi. Nga ana tjetër, shumë prej tyre nuk flasin dhe mbyllen në vetvete duke u izoluar”, thotë Gawlik.
Ajo këshillon që secili prind të flasë me njëri-tjetrin dhe nëse munden të përfshihen në grupe sociale të caktuara për t’u ndjerë më mirë.
Këshillohet gjithashtu bashkëbisedim i shtuar me partnerin dhe terapi nëse gjërat nuk duket se po shkojnë mirë.
Artikuj të sugjeruar: