Ushqim & Pije

Pse luleshtrydhet duhet të hahen me gjithë gjethe

Shkruar nga Anabel

24 Maj 2024

Pse luleshtrydhet duhet të hahen me gjithë gjethe
FOTO: GETTY IMAGES

Jemi zyrtarisht në sezonin e luleshtrydheve, por a e dini se cila është mënyra e duhur për t’i ngrënë ato? Karan Rajan, mjek në NHS (National Hospital Service) në Mbretërinë e Bashkuar thotë se heqja e gjetheve të këtij fruti është e gabuar, pasi ka një arsye të rëndësishme që qëndron pas: rrit vlerat ushqyese në organizëm!

Me siguri, shumë dashamirës së këtij fruti janë të çuditur pas këtij udhëzimi të mjekut, pasi gjethet shpesh pastrohen për hir të higjienës, por mjeku Karan thotë se duhet të ndaloni së bëri këtë gjë.

“Një copëz luleshtrydhe me gjethe ka vlerë ushqyese të barabartë me manaferrat," thotë ai. Gjethet e luleshtrydhes janë të mbushura me polifenole, të cilat janë anti-oksidantë të shkëlqyer për organizmin.

Një dietë e pasur me anti-oksidantë mund të zvogëlojë rrezikun e shumë sëmundjeve (përfshirë sëmundjet e zemrës dhe disa lloje kanceri). Sipas “Better Health Channel”, anti-oksidantët pastrojnë radikalet e lira nga qelizat e trupit dhe parandalojnë ose zvogëlojnë dëmtimin e shkaktuar nga oksidimi.

Për më tepër, gjethet e luleshtrydhes përmbajnë po aq vitaminë C sa ka kokrra e luleshtrydhes. Sipas Mayo Clinic, vitamina C është një lëndë ushqyese që trupi juaj ka nevojë për të formuar enët e gjakut, muskujt dhe kolagjenin në kocka. Vitamina C është gjithashtu jetike për procesin e shërimit të trupit.

Mjeku i njohur shton se gjethet e luleshtrydheve përmbajnë gjithashtu lëndë ushqyese të tjera si magnez dhe pjesë shtesë të fibrave, kështu që ngrënia e tyre është një mënyrë e shkëlqyer për të grumbulluar më shumë lëndë ushqyese në dietën tuaj.

Artikuj të sugjeruar: