Art & Libra

Të prezantojmë me librin që do të të rrëmbejë zemrën: “Gënjeshtra e parë”

Shkruar nga Anabel

26 Maj 2024

Të prezantojmë me librin që do të të rrëmbejë

Rreth librit:

Në Selanikun e viteve ’40, komuniteti hebre ishte një nga më të mëdhenjtë, por lufta dhe mizoria naziste do të rrënonin gjithçka. Një histori Holokausti pak e njohur botërisht, por që do t’ju rrëmbejë zemrat.
 
11-vjeçari Niko Krispis nuk ka thënë kurrë një gënjeshtër të vetme në jetën e vet. Prandaj dhe shoqja e tij e klasës, Fani, e do fort. Ndërsa, vëllai i tij më i madh, Sebastiani, mban një mëri të madhe përbrenda kundër tij pikërisht për dy arsyet e mësipërme. Ndërsa nazistët mbërrijnë në qytet, jeta e tyre, si dhe e gjithë hebrenjve të tjerë, do të marrë një rrjedhë të pashmangshme shkatërrimtare.

Të prezantojmë me librin që do të të rrëmbejë
 
Mirësia dhe sinqeriteti i Nikos do të përdoren kundër komunitetit të tij, kur një oficer gjerman do ta shkëmbejë reputacionin e Nikos, që njihet për ndershmërinë e tij, me premtimin se do t’i shpëtojë familjarët nga kampi i përqendrimit. Kur Nikoja do të kuptojë pasojat e tradhtisë, nuk do të arrijë më kurrë të thotë të vërtetën. Pjesën tjetër të jetës do ta kalojë duke ndërruar emra, vende dhe identitete, në kërkim të dëshpëruar të faljes, për veten dhe për njerëzit që do më shumë.
 
Një roman, ku rrëfehet shkatërrimi që mund të sjellë gënjeshtra dhe mashtrimi jo vetëm në jetën e një individi, por në shkallë botërore. Gënjeshtari ynë i vogël i flet shpresës, në një rrëfim që do t’ju lërë pa frymë e do t’jua mbushë zemrën me fuqinë e shpirtit njerëzor dhe mirësinë që gjendet te secili prej nesh.
 
I rrëfyer nga zëri i së Vërtetës, “Gënjeshtra e parë”, është një histori e pakohë për fuqinë e dashurisë për të na shëlbyer, pavarësisht se sa e fajësojmë veten për gabimet tona.
 
Mitch Albom, autori bestseller i dashur nga të gjithë, vjen me një roman të fuqishëm mbi shpresën dhe faljen. Një histori që zë fill në brigjet e Selanikut, gjatë Luftës së Dytë Botërore e udhëton drejt Aushvicit e më pas në Epokën e Artë të Hollivudit, teksa jetët e ndërthurura të tre të rinjve hebrenj ndryshojnë rrjedhë përgjithmonë nga rreziqet e mashtrimit dhe hiri i
shëlbimit.

Kush është autori?

Të prezantojmë me librin që do të të rrëmbejë

Mitch Albom është autor i shumë librave, që kanë shitur më shumë se dyzet e një milion kopje, në dyzet e shtatë gjuhë të ndryshme në mbarë botën. Ai ka shkruar tetë vepra, të cilat janë renditur në vend të parë në New York Times bestsellers – përfshirë këtu “Të martat me Morin”, libri memuaristik më i shitur i të gjithë kohërave – ka shkruar skenarë filmash televizivë, të nderuar me çmime; drama; skenarë filmash kinematografikë; artikuj për një gazetë kombëtare të sindikatave si dhe një musical.
 
Nëpërmjet veprimtarisë së tij në Detroit Free Press, u pranua zyrtarisht në National Sports Media Association dhe në këndin e famës të Michigan Sports, ndërsa në vitin 2010 u shpall fitues i çmimit Red Smith për arritjet në jetë. Albom është themeluesi dhe mbikëqyrësi i SAY Detroit, një bashkim ky i nëntë shoqërive me veprimtari të ndryshme bamirëse në qytetin e tij të lindjes, së bashku me një ëmbëltore jofitimprurëse dhe një fabrikë ushqimore për të financuar programet e ndihmës për shtresat më në nevojë në Detroit.

Që nga viti 2010, drejton një jetimore në Port-au-Prince, në Haiti, të cilën e viziton çdo muaj. Jeton në Miçigan, së bashku me të shoqen, Janine.
 
Autori bestseller i New York Times-it, Mitch Albom, është një rrëfimtar magjik, që ngjall shpresë përmes rrëfimeve universale të dobësive tona njerëzore, si dhe të kërkimit të vazhdueshëm të kuptimit të jetës.

“Gënjeshtra e parë” na tregon se si një tragjedi kolektive mund të përkthehet në plagë individuale, secila prej tyre e thellë dhe e fshehur, të cilat ndikojnë në mënyrë të tërthortë më pas në jetët e qindra mijëra të tjerëve. Albom-i rrëfen se si dëmet dhe dhimbjet nuk mbeten kurrë të izoluara, ato shpërndahen nëpër njerëz e në kohë, për të prekur tinëzisht secilin prej nesh.

Kritika

"Frymëzuar nga ajo çka ndodhi gjatë Holokaustit me 50 mijë hebrenjtë që jetonin në Greqi, Albom ka krijuar art, i cili mund t’i shtohet listës së gjatë të filmave, muzikës, teatrit dhe librave që janë shpresa më e mirë e njerëzimit për të përcjellë fjalët e gdhendura në memorialë kudo në botë: “Kurrë mos harroni.”
 
The Indipendent
 
"Ndonëse i rrëfyer pa bujë, pothuajse në mënyrë bisedore, “Gënjeshtra e parë” është një kronikë brutale mbi humbjen e së Vërtetës, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por shërben edhe si një qortim i rëndë për humbjen e së Vërtetës në botën e sotme. Mitch Albom na kërkon të rivlerësojmë raportin tonë me të Vërtetën: ç’domethënie ka për ne dhe çfarë zgjedhjesh do të bëjmë si rezultat i kësaj. Është në dorën tonë në duam të rrokim ose jo të Vërtetën".
 
Book Reporter
 
"Një alegori magjepsëse për të keqen, gënjeshtrat dhe faljen".
 
Kirkus Reviews
 
"Mitch Albom, me stilin e tij karakteristik, na shpie përtej tmerreve të luftës, duke na rrëfyer që ngjarje të parëndësishme në dukje, kanë pasoja të rënda. Ai do t’i shpjerë drejt një finaleje befasuese këto personazhe të paharrueshme. Të themi të vërtetën, ky është Albom-i në formën e tij më rrëmbyese".
 
Booklist

Fragmente nga libri

1) ...është e lehtë të zbulohet gënjeshtra e thënë një herë të vetme, por ama një e tillë e përsëritur mijëra herë me radhë mund të shëmbëllejë aq fort me të vërtetën, saqë do të mund të shkatërronte tërë botën.
 
2) Psikologët i quajnë “gënjeshtra patologjike”. Me këtë i referohen atyre gënjeshtrave, të cilat nuk i shërbejnë ndonjë qëllimi dhe as i vijnë në ndihmë atij që i thotë. Nuk janë veçse zgjedhje të nxitura nga çrregullimi, një sëmundje mendore, ose në rastin e Nikos, trauma e së vërtetës qe aq verbuese, saqë sytë i ishin qorruar njëherë e përgjithmonë për mua.
 
3) Por unë jam hija nga e cila s’mund t’ia mbathni, pasqyra që mbart shëmbëlltyrën tuaj të mbrame. Mund t’i shmangeni vështrimit tim përgjatë çdo dite që do të jetoni mbi tokë, por më lejoni t’ju siguroj për diçka, fjala e fundit më përket mua. Unë jam e Vërteta.
 
4) Kur në vitet tridhjetë, Ujku pat nxitur ndjekësit e tij, kjo pat dhënë rezultat jo për shkak se gjermanët qenë të prirë të urrejnë hebrenjtë, por për vetë faktin se të tëra qeniet njerëzore janë të prira ta urrejnë tjetrin, në rast se besojnë se ky është shkaktari i gjithë fatkeqësive të
tyre. I gjithë rrengu qëndron në mënyrën sesi t’i bindësh për këtë.
 
5) Të vdekurit nuk thonë gënjeshtra, por ama të vërtetat e tyre duhet të
dalin në dritë.
 
6) Nuk ka gjë që s’do të bënte njeriu në këmbim të faljes.