
Françoise Hardy, një ndër muzikantet dhe muzat më të famshme franceze ka ndërruar jetë në moshën 80-vjeçare. Lajmin e hidhur e bëri me dije i biri i saj, Thomas Dutronc, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku shkroi: “Mami iku”.

Hardy ka qenë një fenomen i pakrahasueshëm në muzikë, pasi u kthye në një ikonë që frymëzoi Mick Jagger e Bob Dylan. Ajo dominoi skenën në vitin 1962 me baladat e saj melankolike, duke simbolizuar lëvizjen pop Yé-yé (po, po).
Këngët e saj me të famshme dëgjohen edhe sot. “All the Girls and Boys”, “The Rose” dhe “It Hurts to Say Goodbye” kanë frymëzuar mijëra njerëz në mbarë botën.
Françoise lindi në Paris, në vitin 1944. Asokohe, qyteti ishte i pushtuar nga nazistët. Hardy u rrit nga e ëma dhe gjatë rritjes dëgjonte Elvis Presley, Cliff Richard dhe yje të tjerë britanikë e amerikanë. Pasi u pikas talenti i saj, Françoise nënshkroi marrëveshjen e parë me një shtëpi diskografike në moshën 17-vjeçare.
Françoise solli padyshim një frymë të re në muzikë. Stili i saj në vargje, por edhe në veshje kapërceu kufijtë e qytetit. Ajo u bë shpejt imazhi i markave të famshme, si Yves Saint Laurent dhe Paco Rabanne.

Sipas Mick Jagger, Hardy ishte “gruaja ideale”. Françoise mori edhe letra dashurie nga kolegu i saj, Bob Dylan, i cili i dedikoi një poezi në pjesën e pasme të albumit “Another Side of Bob Dylan”.
Hardy, përmes muzikës së saj, mbetet një ikonë legjendare e muzikës franceze, falë zërit magjepsës dhe melodive të thjeshta, plot ndjesi.
Ajo ka qenë e martuar me këngëtarin Jacques Dutronc, me të cilin kishte edhe djalin Thomas. Më pas, u ndanë në fund të viteve ’80, por shpesh i referohej si “dashuria e jetës së saj”.
Hardy ka qenë prej kohësh e sëmurë dhe 20 vite më parë njoftoi se ishte diagnostikuar me limfomë.
Në vitin 2015 u vendos në koma të induktuar, pas një rënieje dhe në vitin 2021, bëri me dije se kishte kancer në vesh, duke shtuar se ndiente se po i vinte fundi.
Gjatë jetës së saj, ajo publikoi 30 albume dhe i fundit, “Personne D’Autre”, u publikua në vitin 2018.