Celebrity

Aludimet për përkeqësimin e shëndetit: Thuhet se Kate mund të publikojë një video tjetër

Shkruar nga Anabel

13 Qershor 2024

Aludimet për përkeqësimin e shëndetit: Thuhet se Kate mund
Getty

E gjithë bota është duke u përqendruar te rrugëtimi i Kate Middleton për të marrë veten pas diagnozës së kancerit, të cilën e bëri publike në mars të këtij viti. Njerëzit pyesin se kur do t’u rikthehet detyrave mbretërore dhe rishtazi, qarkulluan lajme se gjendja e saj shëndetësore është përkeqësuar ndjeshëm dhe kjo mund të sjellë një tjetër video nga Kate Middleton, e cila mund të përditësojë shpirtrat kuriozë për shëndetin e saj.

Aludime si: “Kate është dobësuar shumë”, “i kanë rënë flokët”, “është drejt fundit” kanë zënë hapësira mediatike prej disa kohësh, ndaj me shumë gjasa, për të shuar gjithë këtë zjarr të ethshëm thashethemesh, vetë Kate do të qetësojë njerëzit.

Sipas eksperit mbretëror Gareth Russell, ka shumë gjasa që princesha e Uellsit të bëjë një tjetër video, por shpreson që kjo të varet prej saj. "Shpresoj që asnjë anëtar i familjes mbretërore britanike të mos ndihet i detyruar që të shkojë para një kamere, sidomos kur është duke vuajtur nga një ndër sëmundjet më të rënda, për të qartësuar zërat dhe thashethemet që lindin në SHBA”.

Gareth e quajti “hipokrizi” faktin që ka një interes të jashtëzakonshëm në shëndetin e mbretëreshës së ardhshme, në një kohë kur ajo po përballet me një problem të tillë shëndetësor. “Spekulimet që nisën në filim të këtij viti ishin të tmerrshme. Disa prej tyre ishin të neveritshme, nuk ka fjalë të tjera përpos se “moralisht të gabuara”, u shpreh ai.

Në media u përhap edhe thashethemi se Kate po trajtohet në SHBA, çka e detyroi pallatin mbretëror Kensington që të reagonte në “The Houston Chronicle”, duke saktësuar se ajo po trajtohet në vendin e saj. Edhe BBC konfirmoi se sipas sistemit të fluturimeve, Kate s’është larguar nga Mbretëria e Bashkuar, që pas diagnostikimit me kancer.

Artikuj të sugjeruar: