Art & Libra

Sugjerimi ynë për librin e fundjavës: “Psikiatri”, një histori që do të të lërë pa fjalë!

Shkruar nga Anabel

14 Qershor 2024

Sugjerimi ynë për librin e fundjavës: “Psikiatri”,

Nëse fundjava para të duket e gjatë dhe s’ke ndonjë ide se ç’të lexosh në shtëpi ose në plazh, kemi një super sugjerim: “Psikiatri” nga Machado de Assis, i cili në 89 faqe na rrëfen marrëzinë, kthjelltësinë, satirën politike dhe komedinë e sjelljeve njerëzore.

Sugjerimi ynë për librin e fundjavës: “Psikiatri”,

Informacion i përgjithshëm rreth librit

“Psikiatri” është një novelë klasike e letërsisë braziliane, shkruar nga Machado de Assis dhe botuar për herë të parë më 1882. Psikiatri i shquar Simon Bakamarte vendos të lërë Portugalinë, ku e priste një karrierë e ndritur, për t’u kthyer në vendlindje e për t’iu futur kërkimeve më origjinale në fushën e re të psikologjisë.

Në krye, ngjan se qëllimi i tij i vetëm është përparimi i shkencës në mënyrë që të kurorëzojë veten dhe qytezën e tij “me kurora dafinash që s’vyshken”. Me ndihmën e Këshillit komunal të Itaguaisë, arrin të ngrejë një çmendinë të quajtur “Shtëpia e gjelbër” dhe dalëngadalë arrin të mbyllë atje të marrë e të shëndoshë mendërisht. Gjithsekush do të pyesë veten “Kush është i çmendur, tekefundit”? Ajo që vijon më pas është një histori tejet befasuese, që ngre çështjen mes devijimit dhe normalitetit, çmendurisë dhe arsyes.

Simon Bakamarte, duke parë se të sëmurët mendorë ishin të anashkaluar nga e gjithë shoqëria, përpiqet të zbulojë etiologjinë dhe mënyrën më efikase të trajtimit të sëmundjeve mendore. Ai paraqet dy hipoteza. E para, se ka shumë më shumë të çmendur sesa mendohet dhe tjetra, se çmenduri është çfarëdo çekuilibri i aftësive mendore. Pas studimeve të shumta, për të mos përmendur protestat e itaguaianëve, sepse fjalët e popullit të pashkolluar nuk e zmbrapsin nga parimet e tij, Bakamarte arrin të kuptojë se hipotezat e tij janë të gabuara, dhe se me gjasë, çmenduri është ekuilibri i aftësive mendore dhe jo çekuilibri.

Në këtë novelë, përmes një satire tragjikomike, Machado de Assis parashikon se çfarë ndodh me ata që përpiqen të deshifrojnë misteret e universit – në këtë rast, të universit njëkilogramësh brenda kafkës sonë, trurit, përmes shkencës, duke anashkaluar aspektin hyjnor. Në të rrëfehet dilema e vjetër sa vetë njerëzimi: çfarë është, në të vërtetë, çmenduria?

Kritika

“Psikiatri” është një vepër e mprehtë dhe me humor therës, që përdor ironinë dhe shtigjet dredharake, që të shpien drejt përfundimesh të mira.”

- The Guardian

“Machado de Assis është shkrimtari më i mirë, që ka nxjerrë Amerika Latine.”

- Susan Sontag në The New Yorker

“Ky shkrimtar ka një lloj humori që i bën edhe kafkat të qeshin.”

- Salman Rushdie

Autori

Joaquim Maria Machado de Assis (i njohur kryesisht si Machado de Assis, 1839-1908) konsiderohet si shkrimtari më i mirë brazilian dhe një ndër shkrimtarët më të mirë në histori krahas Shekspirit, Servantesit dhe Dikensit. Ka shkruar poezi, drama, ese, romane e tregime. Ai është themeluesi dhe presidenti i parë i Akademisë Braziliane të Letrave.

I lindur në Rio-de-Zhanejro, në një familje e varfër, ai ishte nip i skllevërve të liruar, në një vend ku skllavëria nuk do të hiqej plotësisht deri pas gjysmë shekulli. Ai nuk shkoi thuajse fare në shkollëpublike dhe nuk hyri kurrë në universitet. I mbështetur vetëm në zgjuarsinë e vet dhe mësimet autodidakte arriti që të ngrihej në shoqëri.

Më 1856, iu bashkua Shtypit Kombëtar si tipograf dhe pas dy vjetësh u bë recensues e bashkëpunëtor në Correio Mercantil, ndërsa më 1860 iu bashkua ekipit editorial të Dia?rio do Rio de Janeiro. Gjatë gjithë jetës, shkroi rregullisht për revista të ndryshme. Më 1873, Machado de Assis u emërua nëpunës i parë i Sekretariatit Shtetëror të Ministrisë së Bujqësisë, Tregtisë dhe Punëve Publike, duke filluar kështu një karrierë si nëpunës publik, punë e cila i siguroi jetesën deri në fund.

Vepra e Machado-s përbëhet nga nëntë romane, nëntë drama, dyqind tregime, pesë koleksione me poezi dhe sonete, si dhe më shumë se gjashtëqind kronika.

Ai u bë i njohur për intelektin e tij dhe kritikat e hapura ndaj shoqërisë.

Fragmente nga libri

1)  "... truri i njeriut është si guaskë deti. Puna ime, i dashur Soares, është të nxjerr që aty margaritarin, e margaritari është arsyeja vetë, arsyeja e shëndoshë, e pastër si loti. Çdo gjë tjetër është çmenduri, çmenduri e kulluar. Këtu, pra, është thelbi i përkufizimit. Mendja është e shëndoshë, kur kur humoret janë përsosmërisht të balancuara e asgjë më shumë."

2)  "Bakamarte i shpjegoi se Dona Evarista shpërfaqte një sërë karakteristikash anatomike e fiziologjike të klasit të parë – sistemin e tretjes e kishte të mirë, flinte me orar, pulsin e kishte të fortë dhe shikimin, të shkëlqyer – dhe se, kësisoj, ajo i plotësonte të gjitha kushtet për t’i falur atij fëmijë të fortë, të shëndetshëm dhe inteligjentë."

3)  "Nuk dihej më se kush ishte normal dhe kush i çmendur."

4)  "...normalitet është çekuilibri i aftësive mendore, ndërsa ekuilibri i përsosur është jonormal dhe hipotetikisht patologjik."

5)  "Pasi i kategorizoi pacientët sipas tipareve të tyre më të spikatura, Bakamarte sulmonte me të gjitha mjetet që kishte në dispozicion përsosmërinë problematike të secilit. Të marrim, për shembull, modestinë. Ai përdori një trajtim të krijuar veçanërisht për të nxitur cilësinë e kundërt, në këtë rast, mendjemadhësinë. E nisi terapinë jo me dozë shumë të madhe, por me një dozë të përshkallëzuar, të graduar me kujdes sipas moshës, temperamentit, gjendjes fizike dhe pozitës shoqërore të pacientit në fjalë. Një parukë, një fjongo, një frak ose një bastun mund të ishte gjithçka kërkohej për të rivendosur një çekuilibër të shëndetshëm të aftësive mendore."