Eva Alikaj do të vijë për publikun shqiptar me një shfaqje të re teatrale, të titulluar “Master Class”. Aktorja do të luajë rolin e Maria Callas dhe u shpreh se ka punuar me shumë pasion dhe disiplinë këtë rol.
Shfaqja do të vihet në skenë më 30 qershor në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit. Për televizionin “News 24”, Eva tha se është shumë e lumtur për rikthimin e saj në skenë dhe që do të sjellë rolin e divës së operas.
“Është shumë e vështirë ta mëshirosh, megjithatë unë kam lexuar shumë për biografinë e saj, kam parë intervista, performancat e saj, por sërish mendimi i fundit ishte që duhet të kthehem te vetvetja, duke u bazuar në suksesin e jashtëzakonshëm të kësaj dive dhe në dramën e madhe të jetës së kësaj gruaje”.
Eva theksoi faktin se do të përqendrohet tek autenticiteti i saj dhe se nuk është kollaj, por duke punuar me seriozitet, duke e disiplinuar veten, punuar me pasion dhe falë stafit profesional, mendon se do t’ia dalë më së miri.
Aktorja shpjegoi se në këtë vepër shkrihet muzika dhe aktrimi, duke u shprehur se përtej dramacitetit të madh që ka pjesa, ka edhe humor. Ajo tregoi se do të këndohet live. “Janë 3 këngëtarë të muzikës klasike, do të interpretojnë arien live. Janë dy vajza që do të fillojnë shkollën si studente në Universitetin e Arteve, si dhe një djalë. Kjo e bën shumë shumë të këndshme pjesën”, tha aktorja.