Sipas një raporti të fundit të “We are social 2024”, një agjenci kreative me 19 kompani në shtete të ndryshme të botës, ne harxhojmë mesatarisht tre muaj çdo vit me celularin tonë. Pra, ne kalojmë 1/4 vitit nga jeta jonë duke “gërmuar” virtualisht në rrjete sociale, platforma, foto, video, telefonata, mesazhe etj.
Nëse jeni të fiksuar pas të dhënave, çdo ditë ne kalojmë 349 minuta para telefonit, afërsisht 41 orë në javë, për një total prej shtatë ditësh në muaj që më pas bëhen 12 javë në vit. Po, këto të dhëna janë të frikshme sipas ekspertëve.
Pse shpenzojmë kaq shumë kohë në celularët tanë?
Ne nuk e kemi fjalën për shikimin e Netflix në shtëpi, në një pasdite me shi që ju ka mbyllur brenda. Ideja është që njerëzit kontrollojnë vazhdimisht telefonin, sikur edhe për të parë motin, orën, për të parë ndonjë thirrje të humbur apo mesazh, sepse kjo rrit direkt dopaminën, një nga hormonet që ka ndikim në nivelet e lumturisë dhe kënaqësisë.
“Është një stërvitje gati e pavëmendshme. Kur nuk jemi online mendojmë se çfarë ndodh online dhe jeta jonë pa internet thjesht nuk është në binarët e duhur,” thotë psikoterapisti Mark Morbe për "La Repubblica".
Por, a është e mundur të gjesh një ekuilibër?
Ndonëse është krijuar ideja se nuk ka problem kur njerëzit bëhen të varur nga teknologjia, studime të shumta kanë treguar se si për fëmijët dhe për të rriturit se përdorimi i celularit ka pasoja negative si për zhvillimin, ashtu edhe për rënien e aftësive njohëse. Për këtë arsye është e rëndësishme të jemi në gjendje të gjejmë një ekuilibër, duke u përpjekur të jemi më të vetëdijshëm për përdorimin e tij.
"Gjetja e një ekuilibri në përdorimin e telefonit kërkon disiplinë dhe vetëdije. Mund të jetë e dobishme të rifuten objektet tradicionale si ora e dorës, pasi kjo mund të ndihmojë në uljen e varësisë nga telefoni inteligjent për funksionet bazë, ose aktivitete në natyrë, leximi i një libri etj", thekson terapisti Giuseppe Lavenia.
Artikuj të sugjeruar:
- 6 mënyra të thjeshta se si ta kontrolloni ankthin brenda pesë minutave
- Bëhemi gati për verën: 5 ndryshime në stilin e jetesës për të shijuar më shumë pushimet e sezonit
- 5 flamuj të kuq që tregojnë se po njiheni online me një *person të fiksuar*
- +10 aktivitete të lezetshme që mund t’i bëni sa herë jeni vetëm