Trajneri i kombëtares shqiptare, Sylvio Mendes Campos Júnior, ka dhënë një deklaratë për shtyp pas humbjes së Shqipërisë përballë Spanjës, në një rezultat 0-1. Sylvinho u shpreh krenar për djemtë e kombëtares dhe për Shqipërinë:
“Jam krenar, për lojtarët e mi, për vendin tim. Është hera e dytë që luajmë në këtë kompeticon, e kam thënë edhe më herët. Unë me të vërtetë jam i lumtur për shtetin, federatën, të gjithë tifozët. Unë kam jetuar në Tiranë, jam trajneri i parë që ka jetuar në Tiranë një vit e gjysmë, kam zbuluar shumë lojtarë të mirë dhe pajtohem me ju që njerëzit mund të supozojnë që Italia mund të shënonte 3 gola, Kroacia 3-4 e Spanja 5 gola. Por kemi vlerësuar punën që kemi bërë, jo vetëm kemi bërë punë taktikë por edhe kemi pasur besim. Kemi besuar që mund të konkurrojmë ndaj tre skuadrave të mëdha, ndaj skuadrave që shkojnë në gjysmëfinale e finale”, u shpreh ai.
Më tej, trajneri nënvizoi faktin se Spanja ka lojtarë shumë të mirë e të shpejtë:
“Spanja ka lojtarë shumë të mirë, të shpejtë, që mund të godasin dhe shënojnë gola. Kemi parë tranzicione të lojës, video të tyre. Janë të shpejtë dhe kanë lojtarë që arrijnë te porta me shpejtësi. Kanë aftësi teknike. Janë skuadër që mund të mbrohet shumë mirë, kanë një linjë të përkryer të katër mbrojtësve, mbyllen shumë mirë. luajnë në tranzicion. Është skuadër me të vërtetë e gatshme për të fituar çdo gjë. Mendoj se është një prej favoriteve për të fituar këtë kompeticion”.
Trajneri tha atë që mendojmë të gjithë mbi vështirësinë e grupit në të cilën qëlloi të ishte Shqipëria. Grupimi përballë Italisë, Kroacisë dhe Spanjës u cilësua edhe si “grupi i ferrit”, për shkak të historisë që këto vende kanë në kampionatin europian dhe atë botëror.
“Shorti ishte më të vërtetë i vështirë, grup i vështirë, nuk ishim mësuar të luanim në këto kompeticione. Ndaj kemi pasur një numër të konsiderueshëm të lojtarëve të rinj që janë shumë premtues. Shpresoj që të jenë në kombëtare për 10 vitet e ardhshme. Kemi një ekip të konsoliduar”, tha ai.
Mandej, Sylvinho rrëfeu se ka kaluar shumë net pa gjumë, por i ka ëndërruar të gjitha momentet kulminante të Shqipërisë në këtë garë:
“Kam kaluar shumë net pa gjumë, por i kam ëndërruar këto momente, si të shënojmë ndaj Kroacisë, ndaj Italisë së organizuar apo Spanjës që është e madhe. Kemi kaluar orë pa gjumë por ia vlejti se arritëm të konkurrojmë. Kemi qenë dinjitozë në fushë dhe nuk kemi asnjë keqardhje. Vendi ynë është krenar me ne, duhet të mësohemi me kompeticione të tilla, të luajmë në nivele të larta, duhet të përmirësohemi”, u shpreh ai.
“Dukej e paimagjinueshme që Shqipëria të ishte në këtë kompeticion në fillimin e vitit 2023. Synimi është të luajmë në evenimente të mëdha e të përmirësohemi, të arrijmë nivel më të lartë, të tentojmë të mësojmë e shkojmë më tutje. Ka gjëra që mund të përmirësojmë, e dimë si mund të luajmë, kemi synime të qarta. Kemi lojtarë të duhur për këtë gjatë, kemi punë për të bërë dhe nuk është e lehtë. Të gjithë duan të luajnë e të jenë pjesë e skuadrës, ky është synimi ynë. Kemi materialin e duhur për këtë, duhet të tentojmë të bëjmë hapin tjetër”, theksoi ai.
“Unë si trajner, më duhet të them nuk do të ndryshoja eksperiencën e ballafaqimit me këta rivalë. Nuk kishte presion të lojës kundër Italisë, Kroacisë, Spanjës, nuk kishte presion të tillë, Lojtarët kanë dhënë çdo gjë që mundën në fushë, do ta mbajnë mend gjithë jetën. Kur të dalin përsëri në fushë, do ta kenë si eksperiencë të vlefshme për ta. Është me rëndësi për lojtarët dhe duhet të merret parasysh që askush nuk na ka turpëruar. Lojtarët e dinin që duhej të sakrifikonin që të luanim në nivelin e duhur dhe kanë dhënë përgjigje shumë të mira brenda fushës. Nuk do të ndryshoja asgjë”, tha trajneri.
Ai foli edhe për strategjinë në lojë, për futjen më të hershme në fushë të Armando Brojës dhe Arbër Hoxhës:
“Broja dhe Hoxha më herët? Ne bëmë zëvendësimet që duhej të bënim, është shumë e vështirë që të luajmë ndaj Spanjës e cila është fantastike me lojtarë të mrekullueshëm. Ndaj ne i kemi planifikuar me kundërsulme, është dashur të bëjmë tranzicionin. Skuadra ka luajtur me vetëbesim të shtuar në këtë mënyrë, kjo është mënyra se si jemi kualifikuar. Të gjithë ë kemi bërë një lojë shumë të mirë. kanë luajtur si është dashur dhe kanë luajtur mirë”, u shpreh ai.
View this post on Instagram
Më tej, Sylvinho falenderoi tifozët, të cilët e kanë përkrahur kombëtaren në fitore e në humbje:
“Dua të falënderoj tifozët, të cilët na kanë përkrahur gjatë humbjes, barazimit dhe në fund të kësaj sonte. Kishte adoleshentë, që nuk kanë parë asnjëherë Shqipërinë të luajë në Europë dhe për ta ka qenë krenari e madhe. Është një përvojë e artë dhe kemi luajtur një ndeshje të vështirë”.
View this post on Instagram
Shqipëria ka përmbyllur rrugëtimin e saj emocionues në kampionatin Euro 2024, pasi u mund në ndeshjen e fundit të grupit B nga Spanja, e cila është në krye të listës. Ferran Torres shënoi golin e avantazhit në minutën e 13 të lojës, duke i dhuruar kështu fitoren kombëtares spanjolle.
Djemtë tanë bënë një lojë fantastike, ku Armando Broja tentoi disa herë të depërtonte portën e Spanjës, por pa fat. Shqipëria iu afrua disa herë barazimit, por sërish, nuk arriti të bënte gol.