Siç mund ta kesh dëgjuar/lexuar, një ngjarje tronditëse ka ngjallur mijëra reagime publike, pasi në spitalin Onkologjik të QSUT-së, bëhen pazare me jetët e pacientëve me kancer. Mjekë e punonjës të tjerë janë përfshirë në një skandal çnjerëzor, i cili ka dalë është bërë publik përmes përgjimeve që hedhin dritë mbi një skemë të tmerrshme abuzimi.
Në skemën abuzive është përfshirë edhe kryeinfermieri i Onkologjikut, Afrim Ruçi, i cili bënte rolin e sekserit dhe ishte mënyra e komunikimit mes mjekëve, por edhe farmacive e pacientëve të ndryshëm, për të siguruar mjekimet e kimioterapisë.
Ata shisnin ilaçet e kimioterapisë në subjekte private, gjithashtu, dërgonin pacientët që të kuroheshin në spitale private, duke nxjerrë justifikime si pritje, radhë të gjata etj, por kjo nuk ishte e vërtetë.
Dosja hetimore
Gazetarja Klodiana Lala siguroi për BallkanWeb dosjen hetimore, në të cilën dokumentohen shkeljet që kanë kryer mjekët dhe punonjësit, që i dërgonin pacientët me kancer në klinika dhe spitale private. Gjithashtu, në dosje shpjegohet edhe mënyra se si merreshin ilaçet.
“Nga ana e specialistëve të Seksionit për Krimin Ekonomik dhe Financiar janë marrë informacione në rrugë operative se shtetasi Devis Beqiri merrej me tregtimin dhe shpërndarjen e barnave, të cilat janë kontrabandë. Këto barna vijnë kryesisht nga Italia dhe Greqia, por ka dhe barna turke që kalojnë nga pika të ndryshme doganore.”, thuhet në dosje, duke shtuar se punonjës të këtij departamenti, ku rolin kryesor e kishte kryeinfermieri, siguronin programin e plotë për kurën e një pacient dhe merrnin ilaçin jashtë shtetit.
Duke qenë se çdo pacient ka të dhënat në databazë, nuk i lihej e gjithë kura për trajtim, por një pjesë e saj nxirrej jashtë spitalit dhe dërgohej në 2 farmaci në Tiranë.
“Një medikament për kimion është më shumë i kushtueshëm dhe flakoni varion nga 250 euro deri në 1500 euro. Përveç rastit kur medikamenti për kimio nxirret dhe tregtohet jashtë ambienteve spitalore që është e palejuar në legjislacion dhe ka raste të tjera kur brenda farmacisë spitalore të njohur nga stafi personel si ‘Kapa’ ku bëhet përzierja e medikamenteve të kimios mund të shkojë kushdo që është i afërm i një pacienti me kimio ose punonjës i brendshëm dhe kundrejt një shume monetare mund të tërhiqte medikamentin, edhe pse nuk është radha e tij për kurim, por në listën e pritjes është një person tjetër.”, sqarohet në dosje.
Denoncimi i mëparshëm
Sipas gazetares Klodiana Lala, ka pasur në nëntor të vitit të kaluar një denoncim, pasi një grua kishte raportuar rastin në Ministrinë e Drejtësisë.
Sipas Lalës, gruaja kishte raportuar se i kishte ndodhur një rast i ngjashëm, ku s’kishte marrë dozën e plotë me justifikimin se mund të ndërronte jetë. Pas rastit, ka nisur edhe hetimi. Ndërkohë, mbetet për t’u sqaruar se si është e mundur që ilaçet që supozohet të gjenden vetëm në spitalin Onkologjik, qarkullonin edhe në farmacitë pranë spitalit.
Bisedat e punonjësve
Ajo që e bën këtë çështje edhe më çnjerëzore janë bisedat mes punonjësve të spitalit, të cilët bënin hapur pazare me jetën e pacientëve me kancer. Një pjesë nga dosja u sigurua për BallkanWeb, ku një ndër personat që komunikonte, Emiljano Lela, koordinator i Onkologjikut dhe një person tjetër thoshin se me operacione dhe flakonë do të shkonin në pushime luksoze.
Pjesë nga dosja:
“-Ku i kap pushimet e tjera tani?
-Këtu e një vit të jemi mirë.
-Shih Tajlandën tani.
-Po, pse jo?
-Hë mo se nuk shkon shumë. 1500 euro, 5 operacione, i kap brenda javësh ti, hahahahaha, ca llogarie.
-Kirurg më di ti mua? Ku e ke bërë matematikën ti vëlla? Sa bëjnë 5X5?
-HAHAHAHA Llogarita 300 euro operacionin, jo 500.
– Po, lale, po.
- Për i javë bëhesh për Maldive ti atëherë”.
Masat e marra nga policia
Policia, përmes një postimi në rrjetet sociale, u shpreh se në kuadër të operacionit “Kobalti”, ka lëshuar disa masa sigurie “Arrest shtëpie” dhe detyrim paraqitjeje për disa persona:
1. Edmond Gashi (Mjek prane Spitalit Onkologjik ne QSUNT).
2. Emiljano Lela (Koordinator prane Spitalit Onkologjik ne QSUNT).
3. Alketa Ymeri (Pere) (Mjeke prane Spitalit Onkologjik ne QSUNT).
4. Brikena Qirjazi (Zv/Drejtoreshe ne QSUNT e ngarkuar me detyra për shërbimin onkologjik).
5. Halil Gashi.
6. Florian Marku.
7. Sekuestrimi i klinikës mjekësore “Megis”, e cila nuk do të ushtrojë aktivitet deri në një njoftim të dytë.
8. Drilona Kishta
Reagimi publik
View this post on Instagram
Sot, në orën 19:00 në rrugën e “Kavajës” do të organizohet një protestë, e cila shpreh zemëratën dhe qëndrimin e njerëzve karshi një skandali të këtij përmasave.