Elseid Hysaj, i ftuar në emisionin “Kampionët”, foli ndër të tjera për komentet e shumta në rrjet për performancën e tij në ndeshjen e Shqipërisë me Italinë, ku futbollisti uli kokën dhe shmangi goditjen e Nicolò Barella-s në minutën e 16, gol që çoi Italinë në avantazh.
Futbollisti i kombëtares tregoi emocionet e tij në këtë kampionat europian, pritshmëritë dhe mbi të gjitha, tha se kritikat i pranon, por u zmadhua pak si shumë.
“Për mua kampionati ishte vërtetë i çuditshëm dhe shumë i bukur. Më vjen keq që e mbyllëm pa një fitore sepse e meritonim. Jam i kënaqur, çunat ishin të kënaqur. Na ra një grup shumë i fortë. Të gjithë kishim besim se mund të kalonin, se mund të ndodhte një mrekulli. Si më ndodhi me mua, mund të ndodhë me dikë tjetër. Unë jam i qetë me të vërtetë. Në karrierën time kam kaluar momente të këqija dhe shumë të bukura. Unë kam arritur ngadalë çdo shkallë. Jam lodhur për të arritur ku kam arritur dhe nuk besoj se një episod që mund të ndodhë… Kaloi përtej futbollit. Kritikat të gjithë i kemi pranuar. Doli jashtë futbollit. U ekzagjerua pak si shumë”.
Mandej, ai sqaroi se ktheu kokën kur pa topin që hyri në rrjetë.
“Unë direkt kam kthyer kokën kur pashë që topi po hynte në rrjetë. Direkt kam menduar se do të thonë njerëzit se u shmanga. Po provoja që të ikja. Isha pak si i ulur, është instinkt. Është një sekondë, është instinkt, sepse pashë topin në moment të fundit dhe ula kokën”.
Ai tergoi gjithashtu se njerëzit janë marrë me flokët e tij dhe se komentet mund ta prekin familjen e tij:
“Kanë kaluar përtej futbollit. Janë marrë me flokët e mia dhe me paraqitjen time. Unë kam djalin 8 vjeç. Unë nuk e kam problem. Unë vij për shtetin tim këtu. Më vjen keq që njerëzit mendojnë se vij në kombëtare për të kaluar ditën. Reagova për shkak të familjes. Ata janë të parët që më kanë mbështetur, babai im, djali dhe gruaja. E shikoja që kur flisja në telefon me prindërit e mi dhe më pyesin: “Si je ti?”, përfundoi Hysaj.
Elseidi ka reaguar edhe më parë për shpërthimet e njerëzve në internet, përmes një postimi në Instagram: “Pas ndeshjes me Italinë dhe evenimenteve të fundit, ndiej t’i kërkoj ndjesë të gjithë tifozëve shqiptarë për gabimin teknik dhe instinktiv që shkaktoi golin e dytë që pësuam”, u shpreh ai, duke vijuar: “Kush më njeh e di mirë që do jepja çdo forcë që kam e do bëja çdo sakrificë për këtë bluzë, siç kam bërë gjithmonë”. Më tej, theksoi se ndjen keqardhje për mënyrën si u trajtua situata dhe nga ana tjetër, falenderoi tifozat që e kanë mbështetur.