Art & Libra

Botuesi i Ismail Kadaresë flet për shkrimtarin e ndjerë: “Iku pa asnjë peng”

Shkruar nga Anabel

1 Korrik 2024

Botuesi i Ismail Kadaresë flet për shkrimtarin e ndjerë:

Ismail Kadare, një ndër shkrimtarët më të rëndësishme të letërsisë shqipe ka ndërruar jetë në moshën 88-vjeçare. Lajmin e trishtë e konfirmoi edhe botuesi i tij, Bujar Hudhri, për Euronews. Shkrimtari i madh ka pësuar arrest-kardiorespirator gjatë qëndrimit në shtëpi.

Botuesi i shkrimtarit kolos të letërsisë shqipe ka dhënë edhe një intervistë për Report TV, ku shprehet se Ismail Kadare u nda nga jeta pa pengje dhe se veprat e tij i përcolli te lexuesit shqiptarë.

“Pengu më i madh i një shkrimtari është që të mos e nxjerrë veprën e tij. Në këtë pikëpamje, Kadare nuk mund të kishte asnjë peng, sepse ai gjithçka që ka shkruar ia ka dhënë publikut dhe lexuesit shqiptar. Si botues e kam pasur komoditetin që të kishim kohën e domosdoshme e të nevojshme që krejt vepra e tij të jetë në duart e lexuesit. Në këtë pikëpamje s’ka peng. Pengu është i yni, sepse do të donim që një shkrimtar të madh si ai ta kishim mes nesh. Por duke gjykuar që vepra letrare nuk ka kohë, kështu mund ta përfytyrojmë që Kadareja të jetë gjithmonë mes nesh”, thotë Hudhri.

Më tej, ai shprehet se Kadare ka pasur problematika për shkak të moshës, por nuk ia merrte mendja që do të ndahej nga jeta:

“Ka pasur (sfida) për shkak të moshës, por gjithmonë s’të shkon mendja se diçka një ditë do ndodhë,. Por kjo nuk varet nga ne. Ajo që është e rëndësishme është se Kadare ka ikur nga kjo botë i lumtur, gjithë veprën e tij e publikoi. Për Kadarenë ishte një ngjarje e shënuar vitin e kaluar në panairin e Prishtinës, kur nxorëm veprën e tij në 7 vëllime dhe për herë të parë e promovuan para lexuesit kosovar”, theksoi Hurdhi.

Më tej, ai thotë se bota letrare është në zi, pas humbjes të një prej shkrimtarëve më të mirë:

“Krejt bota letrare është në zi, ka ikur një nga përfaqësuesit saj më të shquar, është shkrimtar i shquar i letërsisë botërore. Ka marrë çmimet më të larta për merita letrare. Ka qenë kandidat për çmimin Nobel për vite me radhë. Kadare është pjesë e kulturës botërore dhe kjo na bën krenarë. Një shkrimtar të madh si Kadare ne e shijojmë në gjuhën tonë, lexuesit shqiptarë janë fatlumë. Ikja e Kadaresë është një humbje e madhe për letërsinë botërore”.

Mandej, ai shton se qeveria do të kujdeset për homazhet e autorit të ndjerë:

“Qeveria do të merret. Është një ditë e trishtë dhe secili nga ne do ta kujtojmë këtë moment që dukej se s’do të vinte, por jeta është e tillë”, përfundon botuesi.

Artikuj të sugjeruar: